(2L ONLINE) – Fatbardha Selmani, këshilltare komunale e PDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit ka thënë se për faj të këtij pushteti Gjilani e ka fituar sot epitetin kryeqytet i mushkonjave.
Selmani tha se Komuna e Gjilanit akoma nuk e ka kryer Dezinfektimin, Dezinsektimin dhe Deratizimin dhe ka lejuar një gjendje shumë të padurueshme dhe të keqe në qytet kur është në pyetje shëndeti publik. Sot qytetarët përballen me një gjendje të keqe kur janë në pyetje rreziqet nga insektet e ndryshme.
“Pas anulimit të tenderit të dezinsektimit, zyra e prokurimit ende nuk e ka shpallur ri-tenderimin për këtë shërbim që është bërë mjaft emergjent. Kësaj qeverisje komunale, siç duket nuk po i intereson fare shëndeti publik, kur dihet se mund të bëhet infektimi i qytetarëve nga sëmundjet e ndryshme prej insekteve dhe përhapja e sëmundjeve të ndryshme nga brejtësit”, ka thënë Fatbardha Selmani, këshilltare komunale e PDK-së.
Po ashtu, sipas saj, edhe mos kryerja e dezinfektimit të objekteve shkollore dhe publike, rrezikon shëndetin e nxënësve në fillim të vitit shkollor/2L ONLINE/