Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga AAPSK ku kanë diskutuar mbi rëndësinë e bashkërendimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se për adresimin e sfidave që ka AAPSK, duhet bashkëpunim institucional sidomos me policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe se deri tani është punuar në drejtim të përmirësimit dhe fuqizimit të këtij institucioni.
Tutje ministrja Haxhiu përmendi iniciativat ligjore për këtë qëllim por edhe Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme përmes së cilit do të shtohet pasuria e konfiskuar në mënyrë që e njëjta të destinohet për grupet e marxhinalizuara apo për interesa shtetërore.
Po ashtu, Ministrja Haxhiu përmendi miratimin e koncept dokumentit për plotësim- ndryshimin e Ligjit për AAPSK, që parasheh krijimin e Fondit për konfiskimin.
Sipas ministres Haxhiu, duhet të mirëmbajmë një model funksional që të mundësojë shmangien e procedurave të gjata gjyqësore ndonjëherë me vite, për të parandaluar kështu zhvlerësimin e aseteve të sekuestruara nga AAPSK, që mund të rrjedhë si pasojë e këtij shkaku.
Po ashtu, ministrja Haxhiu vlerësoi kontributin e partnerëve ndërkombëtar dhe tha se jemi të hapur për pranimin e këshillave dhe rekomandimeve në funksion të përafrimit me/dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe praktikave të mira lidhur me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. /2LONLINE/