Drejtoria Komunale për Bujqësi e Pylltari, Gjilan ka bërë me dije se pas 13 vitesh nën udhëheqjen e Komunës së Gjilanit, sektori i Pylltarisë tashmë kalon nën udhëheqjen e Agjencionit Pyjor të Kosovës.
Në njoftimin e drejtorisë thuhet tutje:
Në vitin 2010, Agjencioni Pyjor i Kosovës ka transferuar disa kompetenca të deleguara nëpër komunat e Kosovës, ku edhe sektori i Pylltarisë në Komunën e Gjilanit ka funksionuar në kuadër të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari. Nga muaji shkurt Sektori i Pylltarisë kalon nën udhëheqjen e Agjencionit Pyjor të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë këtyre 13 viteve sektori i Pylltarisë, si pjesë e Drejtorisë së Bujqësisë, në kuadër të Komunës së Gjilanit, ka pasur sukseset e veta në mbrojtjen e pyjeve në Komunën e Gjilanit, ku është shpallur dhe regjioni më i suksesshëm në tërë Kosovën.
Gjatë këtyre dy viteve sa jam në krye të kësaj drejtorie kemi pasur bashkëpunim të mirë me gjithë stafin e këtij sektori, kemi arritur të përkujdesemi për pyjet e Komunës së Gjilanit, përkundër vështirësive të shumta të paraqitura në terren në ballafaqim me prerësit ilegalë. Kërcënimet, frikësimet e shumta nga prerësit ilegalë nuk kanë arritur të na zmbrapsin nga qëllimet për realizimin e objektivave në mbrojtjen dhe përkujdesin e pyjeve në pronësi private e shtetërore.
Si drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ju dëshiroj punë të mbarë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shpresoj të kenë përkrahjen e saj për vazhdimin dhe realizimin e objektivave të këtij sektori! Duke u bazuar në profesionalizmin e pylltarëve dhe stafit teknik të këtij sektori, besoj që puna e sukseset e tyre nuk do të ju mungojnë, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Komunale për Bujqësi e Pylltari – Gjilan. /2LONLINE/