Delegacioni i kryetarëve të komunave të Kosovës i cili po qëndron në shtetin amerikan të Iowas, nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u prit në takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Paul Pate.
Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm takimin me delegacionin nga Kosova, i cili përfaqësohet me kryetarë nga komunat e etnive të ndryshme të Kosovës, drejtori i Odës Amerikane si dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Qendër.
“Biseduam për mundësitë e biznesit dhe të bujqësisë ndërmjet dy shteteve tona, si dhe për shkëmbimin e studentëve,” tha Sekretari i Shtetit Pate.
Në takimin në të cilin morri pjesë edhe Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi, kryetarët e komunave të Kosovës e njoftuan Sekretarin e Shtetit te Iowas për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për potencialet ekonomike që ofrohen për bizneset amerikane.
Delegacioni kosovar përbëhet nga kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Kryetarët e komunave të Kosovës u takuan edhe me ligjvënësin e Shtetit te Iowas Zach Nunn, nga i cili morën mirënjohje për fuqizimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Iowas.