Kuvendi Komunal i Kamenicës mbajti seancë solemne për nderë të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, e cila u udhëhoq nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Kamenicës, Bajram Dërmaku.
“Kjo ditë ishte realizimi i ëndrrës të shumëpritur, jo vetëm të gjeneratave të tanishme ,por e sa e sa gjeneratave të kaluara, të cilave për kontributin e tyre duhet tu jemi mirënjohës, si dhe të kemi dhembshuri për të gjithë ata që nuk e patën fatin tonë që ta përjetojnë madhështinë e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Dërmaku, në këtë seancë solemne për nderë të Ditës së Pavarësisë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzat Sinani në fjalën e tij ka rikujtuar se ku gjendeshim para 17 viteve, çfarë ishte siguria jonë, shkollat tona, tani gati s’ka fshat që nuk ka shkollë të re apo të rinovuar, infrastruktura në përgjithësi sa ka ndryshuar, të gjitha këto janë arritur duke punuar bashkërisht, kuvendi i gjithherë ka përkrah projektet të cilat ishin për të mirën e qytetarëve.
“Kemi vendosur një standard të bashkëpunimi me pushtetin qendrorë, faktorët ndërkombëtar e shoqërinë civile. Pra mund të themi se jemi duke ecur në rrugë të mbarë” ka thënë Sinani.
Veterani i UÇK-së, Imer Thaçi, kërkoi që varrezave të dëshmorëve tu kushtohet një rëndësi më e madhe në mirëmbajtje, ai përmendi edhe figurat e mëdha nga kjo komunë të cilët kanë kontribuar për ditën e sotme, si Metush Krasniqin, Rexhep Malën, Nuhi Berishen etj.
Pas seancës ishte përgatitur një program i pasur kulturor artistik nga, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me këngë recitime dhe valle nga SHKA “Albana”.
Si asnjëherë më parë salla e Shtëpisë së Kulturës “ Isa Kastrati “ ishte e stërmbushur me publikë të të gjitha moshave e gjinive. Kësaj prezence kaq të madhe të qytetarëve iu falënderua kryetari Sinani, duke thënë pjesëmarrësve se kanë treguar një respekt për ketë ditë të madhe të popullit tonë.
Përndryshe, strukturat komunale vizituan “Varrezat e Dëshmorëve”. Ata pos homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule, njëherit u takuan edhe me familjarët e dëshmorëve.