Kuvendi Komunal në Kamenicë sot ka mbajtur seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Kamenicës.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se nuk duhet të harrojnë që ata që sakrifikuan e lanë pas vete një shoqëri solidare, një shoqëri të organizuar në blloqe të forta për të realizuar arsimimin, shëndetësinë, e luftën.
Sipas tij, ndonëse me suksese individuale, ashtu siç i kemi edhe në komunën tonë, sfida e shoqërisë sot është gjithëpërfshirja, drejtësia, e barabartësia.
“Edhe pse kemi individë në maja të sukseseve, rreth 30% e popullësisë në Kosovë është e varfër. Ndonëse kemi mjekë që me punën e tyre bëhen shembull nëpër botë, sistemi i shëndetësisë është ende i dërrmuar. Ndonëse kemi mësues brilantë, arsimi është një nga problemet tona më të mëdha”, u shpreh ai.
Mes tjerash kryetari Kastrati tha se sot kur festojmë 20 vjetorin e çlirimit, kohën, mundin dhe energjinë e tij ia dedikon përmirësimit të gjithëmbarshëm, barabartësisë në shoqëri, e drejtësisë për të gjithë.
“Unë e përgëzoj gjithësecilin që nuk mendon e nuk vepron njëdimensionalisht. Të gjithë kemi role të ndryshme në shoqëri dhe është borxh i yni për gjeneratat e ardhshme të përmbushim këto role sa më mirë. Duke qenë familjar i mirë, fqi i kujdesshëm, e bashkëqytetar korrekt.
Shënimi i Ditës së Çlirimit të Kamenicës është festë. Gëzuar çlirimin e Kamenicës e faleminderit që jeni bashkuar në këtë seancë solemne!”, përfundoi ai.
Të pranishëm në senacë ishte kryetari i OVL- UÇK-së në Kamenicë Milaim Limoni, familjet e dëshmorëve, asamblistë të kuvendit, qytetarë e zyrtarë komunal!