Një çështje e rëndësishme për seancat e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që do të themelohet pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, do të duhej të ishte edhe orari i mbajtjes së tyre.
Nuhi NUHIU
Duke iu referuar përbërjeve të deritanishme, pothuajse mbi 70% e anëtarëve të asamblesë komunale po vijnë nga arsimi dhe seancat po mbahen në ditë pune, unë do të kërkoja që këto seanca të Kuvendit Komunal, të mbahen nga ora 18.00 apo ditëve të vikendit.
Kjo kërkesë e imja ka të bëjë me atë se shumë orë mësimi po humben nëpër shkolla tona, por edhe shumë pengesa po krijohen për mbarëvajtjen edhe të mësimit, tollovi nëpër korridore, dalje të nxënësve në kafiteri e rrugë…
Kurse, mësuesit, arsimtarët e profesorët, që nga mëngjesi,nuk i ke në shkollë, e po ashtu edhe në komitete e komisione komunale, ku anëtarët vijnë nga sfera e arsimit, po udhëhiqet e njëjta logjikë.
Brenda muajit, nga dy apo tri ditë këta asambleistë po krijojnë tollovi të paparë nëpër shkollat tona. Andaj, besoj se është kohë e fundit, që një individ -këshilltar,në të njëjtën ditë, të jetë edhe në vend pune, por edhe këshilltar komunal, në seancë të KK-së.
Prandaj, nëse janë për sakrifikim, për qytetarë, le të sakrifikojnë kohën e “çmuar” e seancat të mbahen në ditët e vikendit, apo edhe prej orës 18:00.
Nëse seancat mbahen pas orës 18.00 apo vikendeve, qytetarët në transmetimet e drejtpërdrejta do të shohin se kënd e kanë votuar. Do t’i shohim, të heshturit, zhurmagjinjtë… dhe besojë se skena politike do të pastrohet nga dosido këshilltarë, prandaj ky do të jetë edhe një pastrim i skenës politike.