Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se në ditët e ardhshme do të shpallen emrat e personave që kanë shkaktuar incidente gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Pas takimit të Byrosë për koordinimin e shërbimit të sigurisë janë ndërmarrë masa konkrete dhe në ditët e ardhshme, gjithsesi para rrethit të dytë të zgjedhjeve, do të mësoni emrat e atyre njerëzve që kanë bërë atë çfarë kanë bërë”, ka thënë Vulin për mediat serbe, transmeton indeksonline.
Më 3 nëntor, procesi zgjedhor është ndërprerë në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës, pasi persona të maskuar kanë hyrë në vendvotime dhe kanë demoluar gjithçka.
Votimi në këto tri qendra do të përsëritet më 17 nëntor.
Vulin ka hedhur poshtë akuzat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, se fajtorë për incidentet në veri janë pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në atë pjesë të vendit.