Seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit është caktuar të mbahet më 5 janar 2022, ndërkohë që kreu i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni (Vetëvendosje), pasi kishte bërë publike dokumentin e marrëveshjes mbi parimet e qeverisjes, u kishte dërguar ftesa subjekteve politike: LDK-së, PDK-së, AAK-së, AKR-së, KDTP-së dhe Lëvizjes VATRA me të cilët edhe i kishte realizuar takimet.
Por, në deklarimet publike pas këtyre takimeve nuk u tha asgjë konkrete përveçse se u konfirmuan këto takime dhe biseda të zhvilluar mes kreut të komunës dhe përfaqësuesve të partive politike.
Por, burimet e Portalit 2LONLINE, bëjnë me dije se tani më kanë ndodhur edhe takimet e dyta zyrtare të kreut të komunës me përfaqësuesit e subjekteve politike, ndërsa pritet që të mërkurën ose më së largu deri të enjten të ketë edhe takimet të tjera, të tretat, të cilat, sipas të gjitha gjasave, do të prodhojnë edhe marrëveshjen për qeverisje të përbashkët.
Mësohet se në lojë janë krejt subjektet politike, pa përjashtim, pra nuk ka vija të kuqe as nga Vetëvendosje, që do të mund të mos e donte dikë partnerë, por as nga palët tjera, që nuk do të donin të hyjnë në bashkëqeverisje me Vetëvendosje, duke përfshirë pra këtu edhe LDK-në e cila deri par pak javësh qeveriste me Gjilanin.
Madje të gjitha palët kanë kërkesat/ofertat e tyre, e të cilat duket se do të jenë determinuese. Cila ofertë/kërkesë e subjekteve politike do t’i duket më joshëse, kryetarit të Komunës Alban Hysenit, subjektit që drejton, mbetet të shihet, sikurse ajo çfarë do të ofrojë kryetari Hyseni, kujt do t’ia mbush syrin, mbetet poashtu edhe kjo të shihet.
Por, një gjë mësohet nga burimet e 2LONLINE, brenda subjekteve politike, se epilogu mund të dihet më së largu këtë të enjte, për të shkuar në pushimin e fundvitit, me atë se do të dihen paraprakisht partnerët që do të qeverisin me Gjilanin, pra do të qartësohet se kush do të jetë pozitë e kush do të mbetet në opozitë.
Se si do të ndahet hisja dhe për zhvillime tjera, pritet që dita e mërkurë dhe e enjte ta qartësojë, por ajo që dihet qartë tani më, është se krejt kombinimet janë në lojë.
Përndryshe rikujtojmë se seanca e dytë e Kuvendit komunal të Gjilanit mbahet më 5 janar 2022, dhe ky do të jetë rendi i punës
1. Konstatimi i prezencës së anëtarëve të Kuvendit
2. Betimi i anëtarëve të Kuvendit
3. Zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit (formimi i komisionit për mbarëvajtjen e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryesuesit)
4. Propozim-vendimi për caktimin e numrit të anëtarëve të Komiteteve obligative dhe Komiteteve tjera të Kuvendit Komunal
5. Propozim-vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2022
6. Propozim-vendimi për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit Komunal dhe Komiteteve
7. Të ndryshme.
Mbledhja mbahet në sallën e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, më 05.01.2022, nga ora 10:00. /2LONLINE/