Behgjet Pacolli të mërkurën mbrëma ka marrë telefonatë nga një mik i vjetër. Personi që sipas liderit të AKR-së është nga Amerika, po i shprehte keqardhje për një deklaratë që në ato momente lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e kishte bërë në një televizion nacional në Kosovë.
Pak më vonë, liderit të AKR-së i kishin treguar se Haradinaj ka deklaruar se nuk “ndjen kurrfarë obligimi ndaj tij”, ndonëse Pacolli e kishte ndihmuar mbrojtjen e liderit të AAK-së në Tribunalin e Hagës ku akuzohej për krime lufte.
“Një telefonatë kam marrë edhe nga Amerika nga personi që ka ekzekutuar pagesat në atë kohë dhe i cili me dëshpërim të madh ma kujtonte vendosmërinë time për të kryer punën. Deri sot nuk i kam kërkuar asgjë askujt për atë që e kam ndihmuar. S’kam kërkuar nga askush që të ndihet në obligime ndaj meje. Por gjithashtu as nuk kam pritur që ata që kanë marrë ndihmë prej meje, e që nuk janë të paktë, të njëjtën të ma kthejnë përveç me mosmirënjohje, edhe me shpifje të padëgjuara më parë rreth meje, qoftë vetë, qoftë nga njerëzit e tyre”, ka thënë Behgjet Pacolli, në një prononcim për gazetën Tribuna.