Sport Club Gjilani konfirmon ndryshimet në udhëheqësinë e klubit, duke bërë të ditur që tashmë klubi kalon në duart e grupit të aksionarëve të rinj me përfaqësues, Afrim Veliun, i cili njëherit do të bartë postin e presidentit, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Pjesë e bordit të klubit do të jenë aksionarët e tjerë, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami.
Më tej në njoftim thuhet se klubi ka qenë në proces të ndërrimit të pronësisë dhe pritjes së investitorëve strategjik për të përmirësuar rritjen e ardhshme të klubit, me qëllimin e vetëm për të përfituar nga mundësitë si në fushën e blertë ashtu edhe në anën komerciale.
Si pjesë e këtij procesi, klubi mori në konsideratë të gjitha alternativat strategjike, duke përfshirë investimet e reja në klub, stabilitetin financiar dhe atë sportiv, si dhe ndërtimin e një ekipi të ri konkurrues pas ndryshimeve të shumta të bëra në afatin kalimtar të verës.
Bordi i ardhshëm i klubit do të bëj një vlerësim të disa nismave për ta forcuar klubin, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e akademisë së klubit, ndërtimin e një strukture kompetitive për ekipin e parë dhe afrimin edhe me të madh të tifozëve me klubin.
Gjithashtu, drejtuesit e rinj shprehin falënderimet më të sinqerta për gjithë qytetarët gjilanas dhe jo vetëm, për mikpritjen fantastike dhe durimin e shfaqur në kohët e krizës për klubin, i cili tashmë merr një rrugëtim të ri, thuhet në fund të njoftimit të SC Gjilanit. /2LONLINE/