Kandidati për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, është ndjerë i entuziazmuar me pjesëmarrjen e qytetarëve në tubimin përmbyllës të VETËVENDOSJE !-s në këtë komunë. Në fillim të fjalës ai i është drejtuar rinisë, duke thënë se gjëja më e rëndësishme që ata bëjnë është ajo çfarë lënë si gjurmë në shoqëri.
“Me lejoni të ndajë me ju diçka nga gjërat që kam mësuar gjatë përvojës sime politike. E para dhe më e rëndësishmja në gjurmën e jetës tuaj,duhet të jetë besimi i thellë te dinjiteti juaj personal, te vlera e secilit prej jush si njeri. Mos lejoni që dikush t’ju bëj të ndiheni sikur s’keni vlerë e sikur jeni askushi. Besoni dhe ndjeni gjithnjë që keni vlerë të madhe dhe dinjitet. Dhe se jeta juaj ka domethënie dhe kuptim“, ishte porosia e Kurteshit për të rinjët, duke përmendur tutje edhe rëndësinë e vendosmërisë e përkushtimit.
“Jeta është lëvizje. Po nuk vrapuat dot, atëherë duhet të shkoni para duke ecur.
Bëni gjithçka për të mos qëndruar në vend numëro. Bëni ç’të mundi që të lëvizni për ta çuar përpara veten dhe shoqërinë. E kur të lëvizni do të shikoni se nuk jeni vetëm. Se bashkë me ju po lëvizin shumë të tjerë. Të rinj e të moshuar, burra e gra, djem e vajza, anekënd dhe me vendosmëri. Këta janë njerëzit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që lëvizin për kombin shqiptar dhe për Kosovën. Kjo është lëvizja që Gjilani jonë pret me padurim më 22 tetor“, ka thënëm më pas Kurteshi.
Kurteshi tutje ka theksuar se qytetarët kërkojnë punësim, kurse u zotua se qeverisja e tij nuk do të kujdeset vetëm për punësim, por edhe mbrojtje të punëtorëve dhe respektimin e të drejtave dhe dinjitet të tyre.
“Ne do të ndërtojmë çerdhe të reja për edukimin, shoqërimin dhe përgatitjen e fëmijëve për shkollim. Librin, mësimin, edukimin e bibliotekën do t’ia kthejmë shkollës, e shkollën nxënësve. Shkollën do ta bëjmë mësonjëtore të lirisë së mendimit, dhe jo ta mbyllim atë në grila. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë të qëndrojë i uritur në bankat e shkollës. Por edhe do ua heqim politikanëve të papërgjegjshëm drekat luksoze. Fëmijëvë të vegjël do t’ua sigurojmë transportin për në shkollë. Por, pushtetarëve zhvatës do ua heqim limuzinat e shtrejnta. Ne do ta bëjmë Mjekun mësuës në shkollë, për të mos e detyruar mësuesin të bëhet mjek në shkollë”, kanë qenë disa nga zotimet e shpalosura nga Kurteshi në këtë tubim.
“Nuk do të lejojmë të shkelet ideali i shokëve tanë të flijuar për liri, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Zija Shemsiu e Nuhi Berisha. Do të vazhdojmë pandërprerë përpjekjen për zhvillim, drejtësi e barazi bashkë me yjet që ndriçojnë rrugën tonë: Arbenin, Arbnorin, Monin e Astritin”, tha po ashtu Kurteshi në këtë tubim.
Sponsorizuar nga Vetëvendosje