Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Viti Ajet Sallahu, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në të cilën ka prezantuar raportin detal të aktiviteteve që organizohen me rastin e muajit të pastrimit në këtë komunë.
Ai ka përmendur mekanizmat që kanë mbështetur aktivitetin e sivjetmë të pastrimit, ndërkohë që ka theksuar se këtë vit organizimi dhe interesimi është dukshëm më i madh se viteve të tjera.
“Në hapjen e fushatës së pastrimit, kemi pasur një interesim të madh të pjesëmarrësve, përpos institucioneve komunale, shkollore, shëndetësore, ato të sigurisë, OJQ-ve dhe bizneseve. Kjo ka na ka bërë të kuptojmë se interesimi i qytetarisë në përgjithësi për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimit nga mbeturinat është rritur dukshëm”, ka thënë Sallahu.
Ai më pas ka përmendur aktivitetet që parashihen të zhvillohen nëpër gjitha lokalitetet e komunës së Vitisë deri më 21 prill kur edhe do të përfundojë aksioni me mbjelljen e fidanëve në disa pjesë të qytetit të Vitisë. Drejtori Sallahu në pjesën e dytë, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.