(2L ONLINE) – A duhet nganjëherë të na vije turp nga vetja!? Sigurisht jo njëherë, po shumë herë. Në këtë Kosovën e paslufte sikur kemi dalë krejt nga “kolloseku” i të qenurit i ndërgjegjshëm. Thoshte njeriu, sapo te heqim qafe robërinë, ne do të jemi ndryshe!
Vërtetë u bëmë ndryshe. Fituam lirinë e humbëm ndjesinë dhe përgjegjësinë e së mirës kolektive. Dhe më nuk na intereson gjë tjetër veçse gjendja brenda oborreve tona.
E, nuk e tha kot një vëzhgues i huaj që shëtiti kryq e tërthor nëpër vise shqiptare se -Gjëja më e bukur ndër shqiptare janë gratë shqiptare. Sepse në territorin ku ato janë përgjegjëse do të thotë, ku ato kujdesen, pra brenda oborreve të shtëpive të tyre, është shumë më pastër se sa në hapësirat ku rrinë dhe enden tërë ditën burrat! Sepse, aty ku rrinë është papastër, me mbeturina të hedhura përreth në mënyrë të shkujdesur nga vet ata!
Kur vështron me kujdes hapësirat urbane në ditët e sotme këtu ndër ne nuk mund të të shkojë mendja te fjalët e këtij vëzhguesi neutral! Çdo skutë, çdo qosh i mundshëm shndërrohet dhe përdoret si WC, dhe kundërmon deri në qiell.
Më falni për banalitetin por nuk ma merr mendja se ka një femër të vetme që i kontribuon kësaj ndyrësie publike më shumë se ne meshkujt!
Dhe me thanë të drejtën nuk lamë vend në qytet pa e fëlliqur. Pas banesave, sahat kullën e bëmë WC publike, e mos të flasim për hapësira pak më në periferi.
Në një gjendje të tille është edhe shtëpia e vetme e sportit në Gjilan. Halla e Sporteve “Bashkim Selishta”.
Shikoni ambientin e jashtëm për rreth saja , fekale, gjurmë urinimi që kundërmojnë me metra larg, parregullsi, mbeturina…, afër një shtëpie sinonim shëndeti mendor e truporë, aty ku në fakt do duhej të ushtrohej kultura fizike, dhe aty ku do të duhej të dëshmoheshin ato!
Është turp edhe për ata që e shkaktojnë një gjendje të tillë, por edhe për ata që janë përgjegjës për këtë shtëpi/sallë sporti, e të cilët nuk lanë vend pa u krekosur se qenka një nga më të mirat në rajon!
Turpi këtu është i dyanshëm.
/Xhelil ARIFI/2L ONLINE/