/59 vite nga aksioni për grumbullimin e armëve/
Se ky aksion famëkeq (aksioni për mbledhjen e armëve) ka qenë në mënyrë të tërthortë i keqpranuar edhe nga udhëheqësit shqiptar të asaj kohe, dëshmon edhe Sinan Hasani, i cili në pyetjen e Dushan Mugoshës-Duqit në Gjilan, se si po shkon aksioni për grumbullimin e armëve, ai i ishte përgjigjur me fjalët e prindërve të vet, që në mbrëmje ia kishin thënë në Pozheran: ”as serpi i parë e as bugarët e egër me zullumet e tyre nuk kanë ba kështu, si po bajnë këta UDBA-shët e sodit. Jau nxorren shpirtin njerëzve tuj i shtrue në dajak dhe tuj i mbajtun lakuriq në ujë të ftoftë- akull!”
Shkruan: Ukshin Zajmi
Një ndër aksionet më famëkeqe të regjimit komunist në ish Jugosllavi për shqiptarët ishte aksioni për grumbullimin e armëve. Ky aksion, të cilin e udhëhoqi UDB-ja jugosllave e kryesuar nga Aleksandar Rankoviq pat për qëllim që të maltreton burrat më të mirë, më të shëndetshëm e më intelektual të popullit shqiptar, me synim që të përshpejton spastrimin etnik të vendeve shqipfolëse të këtij vendi. Një qëndrim të tillë, qarqet e serbe e kishin koncipuar me shumë programe, filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844) e këndej deri te marëveshja gjentelmene e Splitit (Tito-Kyprili) me 1953.
Ndonëse të gjitha dokumentet ndikuan dukshëm në shpërnguljen e popullatës shqiptare në Turqi e vende të tjera, nuk u arrit qëllimi që të pastrohet vendi tërësisht nga ky element.
Andaj, u menduan dhe u zhvilluan edhe aksione të tjera. Një ndër më të trishtuarat ishte ai i dimrit të vitit 1955/56, aksioni famëkeq për grumbullimin e armëve. Këtë aksion e filluan në dhjetor të vitit 1955 deri në shkurt të vitit 1956, kohë kjo kur shkollat ishin pa nxënës, sepse, aso kohe ishte pushimi dimëror i nxënësve, e shkollat përdorëshin për vende tubimi të qytetatëve dhe për maltretimin e tyre, në ato vende ku nuk kishte stacione policore.
Në këtë aksion, vetëm në territorin e Kosovës u keqtrajtuan në format më mizore, më tepër se 30.000 shqiptarë, prej të cilëve 103 u mbytën apo u vetëmbytën dhe rreth 10.000 u gjymtuan.
Një aksion i tillë u organizua edhe në fshatin Troje (ish Topanicë) të Dardanës (ish Kamenicës) në Veri-lindje të Kosovës.
Në këtë fshat, gjatë aksionit të grumbullimit të armëve janë rrahur e maltretuar rreth 70-80 meshkuj të fshatit, por më te maltretuarit kanë qenë:
1.Asllani i Tahirit-Morina ( ka qenë kryetar i komunës në Ropotovë)
2.Vebiu i Balës-Morina
3.Ahmeti i Mehmetit-Zubaku,
4.Xhemaili i Cenës-Morina,
5.Xhaferi i Cenës-Morina
6.Halimi i Arifit-Zubaku
7.Limani i Halitit-Morina
8.Ali Shaban Morina
9.Muharrem Shaban Morina
10.Riza i Qazimit-Morina
11.Isa A. Morina
12.Femi V. Morina
Vebiun e Balës e kishin rrahur shumë, e mbasi nuk kishte pranuar se ka armë, ate e kishin marrë natën dhe ia kishin shti këmbet në ujë në një gropë gëlqereje në afërsi të shkollës dhe e kishin mbuluar me një pallto te madhe. Ne, si femijë shkonim në shkollë dhe e shihnim at njeri aty, por nuk e denim se kush është. Vebiu, kur dëgjoj zhurmen tonë, me dorë hoqi pallton dhe u përhap ajri i ngrohtë në formë mjegulle. Kur e pa shoqja e klasës Lutfia (klasa e tretë e fillore) e njofti se është baba i saj, dhe bërtit:”oh kuku, ky tek asht baba im!”
Polici i armatosur që e ruante, u hallakat, dhe i mëshoi edhe një herë me kundak të armës Vebiut dhe e mori për ta dërguar në lokalin e mejtepit. Ai memzi ecte, sepse kishte qenë i dathur, këmbët i ishin ngrirë dhe rrëzohej. Në këtë aksion, në listë ishte edhe Sahit Zubaku, por ai nuk përjetoi këto tortura, por u vetvar, sepse kishte përjetuar edhe rrahje tjera po nga serbet e fshatit të tij, nga se njëfar Milteni i këtij fshati, njëherë me shokët e tij e kishin rrahur Sahitin për vdekje në ara. Sahit Mehmet Zubaku lindi në vitin 1886 dhe kishte dy djem: Mehmetin e martuar dhe Isahun e vogël dhe tri vajza Hatixhen, Fatimen dhe Xheziden.
Një natë kur erdh vjehrri (Vebiu) në shtëpi, ishte shumë i mërzitur. E kishte ble një pako bombona dhe ia dha djalit tim (nipit) Azizit. Burri (Mehmeti) sa kishte ardhur nga ushtria. Atij më herët i pat thënë që të shkon për të blerë një arme dikund me qëllim që ta dorëzon. Ai kishte shkuar në Lajçiq, Desivojcë e deri në Konçul, por askund nuk kishte gjetur armë për të blerë me numrin që ia kishin caktuar.
Kur mori vesh, se arma nuk është gjetur për t’u blerë, vjehrri (Sahiti), filloi të qanë dhe tha, po mirë ia ka ba ai i Tygjecit (Behlul Ismajli-Klaiqi) që ishte varrë para dy javesh (3.02.1956), se rrahjet nuk durohen. Kijametin është kah e sheh Vebia i Balës, e unë jam në rend menjiherë pas tij. Edhe mue kanë për të me maltretue sikur ate. Ai e lypi do qumsht për ta pirë, të cilin ia bëri gati reja Hasimja, të cilin e kishte pirë dhe kishte thënë, ky është qumshti i fundit që po e pij.
Më vonë, ai u vesh trash, shkoi te hambari, i la do dokumente nën podvallë (druri bazë), dhe mori disa toja (spaga) me të cilat i lidhnim hararët e duhanit. Erdhi te une, u hallashtis (përshendet) me mua dhe filloi të qanë. Unë i thash, mos u mërzitë o babë se i bahet çarja edhe kësaj pune. Ah, moj re- tha ai , vështirë është sonte të pështoj, dhe shkoi te mejtepi ku grumbulloheshin burrat e fshatit dhe maltretoheshin.
sahit zubaku
Se kur kishte shkuar te nallbanhanja e Ismajlit nuk dihet. Ai, aty kishte marrë drurin trekërrembësh (Çatallin) që i lidhnin kafshët për t’i mbathur. Kishte hyp në një rremb, e kishte lidhur tojen për tra te hajatit të nallbanhanës, kishte rregulluar lakun, e kishte futur qafen në te, dhe me këmbë e kishte larguar drurin dhe ishte varr, tregon e reja e tij Hasimja, tash 87 vjeçare.
Këtë veprim Sahiti i Mehmetit-Zubaku e ka bërë në nallbanhanen e Ismajl Shalës me 17.02.1956, me qëllim të ikjes nga torturat, por edhe të ndërprerjes së këtij aksioni kobzi. Emini i Fazlisë na ka treguar se vjehrri ashtë varrë, dhe ne kemi dalë për ta pare. Na kanë thanë se ka ardhë një komision për ta shikuar ashtu të varrur. Pastaj e kanë sjellë në shtëpi kufomën. E kanë vorrose 3-4 vetë, se më shumë nuk kanë guxuar me ardhë. Isa, djali i vogël është trishtuar nga kjo ngjarje, dhe deri sa ka vdekur, ai nuk ka qenë mentalisht mirë, ka rrëfyer Hasime Zubaku. Me këtë veprim, aksioni për grumbullimin e armëve në Troje (ish Topanicë) u zbeh.
Ne, si fëmijë ishim nisur për në shkollë dhe rrugës duke shkuar e kemi parë Sahitin e varrur, i cili e kishte gojën plotë shkumë dhe gjuha i kishte dalur jashtë. Ne jemi trishtuar dhe kemi bërtitë. Pastaj jemi kthyer prapa dhe një rruges tjetër kemi shkuar në shkollë.
Vlenë të theksohet se edhe nipi i Sahitit, Fadili, është vrarë nga një aksion i Serbëve me 6 shtator të vitit 1999 në afërsi të fshatit Ranillug, na tha Nebi Morina, profesor i historisë-Gjilan.
Rexhep Morina ka treguar se kur e kanë dërguar për ta thirrë mixhën Asllan, ai (Asllani) është veshur trashë, dhe rrugës është takuar me Bajramin e Idrizit-Zubaku, i cili thoshte: “ hajt se i kallxoi une atij- mendohet në njëfarë Mishën (Misha Stojkoviç) ,- se ai e ka sha nanën shqiptare”. Bajrami ka qene i shkolluar dhe ka qenë njëlloj oficeri, përndryshe edhe antar i Lidhjes së Komunistëve, andaj ate edhe nuk e kanë maltretuar. Në aksionin e armëve nga Bllata, lagje e fshatit Troje, janë rrahë e maltretuar: Fazliu i Qerkinit – Berisha dhe Hazir Linam Sopi, na tregoi Fehmi Sopi.
Se ky aksion famëkeq ka qenë në mënyrë të tërthortë i keqpranuar edhe nga udhëheqësit shqiptar të asaj kohe, dëshmon edhe Sinan Hasani, i cili në pyetjen e Dushan Mugoshës-Duqit në Gjilan, se si po shkon aksioni për grumbullimin e armëve, ai i ishte përgjigjur me fjalët e prindërve të vet, që në mbrëmje ia kishin thënë në Pozheran: ”as serpi i parë e as bugarët e egër me zullumet e tyre nuk kanë ba kështu, si po bajnë këta UDBA-shët e sodit. Jau nxorren shpirtin njerëzve tuj i shtrue në dajak dhe tuj i mbajtun lakuriq në ujë të ftoftë- akull!” [1]
Literaturë e shfrytëzuar:
[1]Tahir Z.Berisha: “Në fokus të ngjarjeve”- Bisedë me Sinan Hasanin, Prishtinë, 2005, faqe 96 dhe 132.
Dinaj, Shefqet: Aksioni i mbledhjes së armëve ne Gjakovë me rrethinë (1955-1956), Revista ”AKTET” VI, 5: 552 – 556, 2012
Shefik Sadiku: Gjykimi kundër Metush Krasniqit me shokë me 1959, Hodonoc, 2010 (http://www.albaniapress.com/lajme/12648/Gjykimi-kunder-Metush-Krasniqit-me-shoke-me-1959.html)
Rrëfimtarë:
Hasime Zybaku (1927 ) Topanicë, Nebi Morina (1946) prof. i historisë , Gjilan, Femi Sopi (1946), pensionist, Gjilan
Foto: Sahit Zubaku