Shkruan: Ismajl Kurteshi
Në seancën e muajit shkurtit, të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, i shqetësuar nga tërmeti në Turqi dhe Siri, që mori mbi pesëdhjetëmijë jetë njerëzish e pyeta drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, nëse objektet shumëkatëshe, për banim kolektiv, janë monitoruar gjatë ndërtimit dhe janë pranuar teknikisht, para se të jepen në shfrytëzim?
Përgjigjja në këtë pyetje, ishte shqetësuese. Drejtori deklaroi para këshilltarëve komunal dhe para publikut, se asnjë objekt i lartë nuk është monitoruar gjatë kohës sa ndërtohej dhe nuk është pranuar teknikisht. Drejtori në vazhdim tha se Komuna tani po planifikon të themelojë një komision i cili do të merret me ekzaminimin e qëndrueshmërisë së këtyre objekteve edhe pse ky ekzaminim i vonuar nuk ka mundësi të sigurojë informatat e sakta mbi sigurinë e objekteve.
Se nuk ekziston distanca e nevojshme në mes të objekteve që është e rëndësishme për sigurinë dhe hapësirave të gjelbërta, në mes të ndërtesave të larta, nuk ka nevojë për analiza sepse kjo vërehet edhe me sy.
Se në tokën bujqësore, bazuar në Ligjin nr. 02/l-26 për tokën bujqësore është e ndaluar të përdoret për ndërtimtari, po ndërtohet gjithandej, dhe se leje për ndërtim, në tokën që është e ndaluar me ligj, po japin institucionet shtetërore.
Është e rëndësishme të përmendet me këtë rast edhe një përgjigje tjetër e Drejtorisë së Urbanizmit, në vitin 2022, në lidhje me respektimin e lejeve të ndërtimit.
Bazuar në përgjigjen zyrtare (me shkrim) të Drejtorisë së Urbanizmit, vetëm gjatë vitit 2021, në Komunën e Gjilanit janë ndërtuar mbi 30.000 metra katrorë, përtej lejeve që i ka lëshuar Komuna.
Kjo praktikë që po e rrezikon jetën e qytetarëve duhet të ndërpritet, sepse kështu si ka shkuar gjatë dy dekadave të fundit, po rrezikon jetë njerëzish, po e dëmton tokën pjellore dhe po prodhon kaos në shumë plane.
Prandaj, vendosja e rendit në këtë fushë shumë të rëndësishme është obligim i institucioneve në të dyja nivelet. /2LONLINE/