Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është sinonim i vlerave, i intelektualëve, i akademisë, i lirisë e demokracisë. Mbi të gjithë, është sinonim i respektimit të diversitetit në qëndrime, çka për partitë tjera është film.
Shkruan: Burim Elezi
LDK, për tri dekada pati të themelimit, pati rënie e ngritje, goditje e sulme tinza, deri aty sa veprimtarët e saj u flijuan veç pse e deshën Kosovën të lirë, demokratike, me liri të mendimit e me respektim të të ndryshmes. Respekt e lavdi për të gjithë ata burra e gra që u flijuan për ditët e sotme. Kjo ishte pak për historinë.
Sot, në ditën kur Dega e Gjilanit e shpalli të hapur procesin zgjedhor, si anëtar i kryesisë së dy mandateve (të fundit me votë të fshehtë dhe demokratike), dëshiroj ta falënderoj bazën time, e cila më ka bërë ky që jam – Livoçin e Ulët.
Po ashtu, i falënderoj edhe delegatët të cilët më dhanë besimin për të qenë pjesë e politikbërjes në Gjilan, që së bashku me kolegët e mi, arritëm fitore plebishitare. Nejse, për të qenë korrekt, kur e ke një lider çfarë është Lutfi Haziri, puna bëhet shumë më e lehtë për ne që i shkojmë prapa.
Zgjedhjet e fundit brenda partiake në Gjilan kanë qenë model i demokracisë, i një gare fer dhe korrekte. Uroj që edhe në këtë proces t’i përngjajmë atij paraprak.
Për fund, nëse kryetari Lutfi Haziri ka thënë se Ibrahim Rugova ka qenë një hap para të gjithëve, unë po them se pas vdekjes së liderit historik, është pikërisht Lutfi Haziri që është një hap para me vizion e me punë. E ka dëshmuar këtë në 15 vitet e fundit.
Zatën, nuk ia ka lënë rastësisht “kutinë” e duhanit presidenti Ibrahim Rugova, gjatë vizitës së tij në Gjilan, në kohën kur ka qenë kryetar i Komunës, Lutfi Haziri.
Nuk besoj që ka nevojë ta zbërthej mesazhin e dorëzimit të “kutisë së duhanit”, që praktikohej vite më parë në familjet tona.
Urime, e dalshim faqebardhë!