(2LONLINE) – Zgjedhjet lokale të mbajtura në fundvitin e kaluar nuk sollën një rezultat që do të donin qytetarët, por edhe një rezultat që Lëvizja Vetëvendosje priste në të vërtetë. kështu është shprehur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Avni Rudaku.
Ai tha se nga analizat e brendshme që janë bërë , janë ardhur në përfundim tek disa arsye të dështimit të tyre në zgjedhjet lokale në Gjilan, e që sipas tij një ndër arsyet e para, është edhe buxheti i vogël prej rreth 6 mijë eurove që kanë pas në dispozicion në krahasim me subjektet tjera politike si PDK-ja dhe LDK-ja.
Rudaku gjithashtu ka bërë të ditur se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka marrë një vendim që të gjitha degët e Vetëvendosjes të ristrukturohen.
“Kemi pritur më shumë në zgjedhjet lokale, një rezultat më të mirë në Gjilan por dështuam , si një ndër arsyet mund të merret edhe buxheti i vogël që kemi pas prej rreth 6 mijë eurove. Por pas këtij procesi zgjedhor qendra e Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë vendimin për ristrukturim të të gjitha degëve”, tha Rudaku.
Sa i përket vitit 2013-të ,Vetëvendosje e Gjilanit sipas Avni Rudakut vlerëson se nuk mund të thuhet se ka pasur ndonjë të arritur, për shkak se viti 2013-të Gjilanin e la me një borxh të madh, pa infrastrukturë në disa pjesë të komunës dhe pa shpresë për zhvillim ekonomik, pavarësisht ngritjes së zërit të këtij subjekti opozitar për këto probleme që kanë pasur gjilanasit.
Por, duke folur për qeverisjen e re në Gjilan nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Avni Rudaku , thotë se është e njohur puna e kryetarit të ri Lutfi Hazirit, për shkak se ka qenë në shumë poste publike. Ai u shpreh se duke e njohur punën e tij në të kaluarën nuk mund të pritet diçka më shumë nga ky .
“Puna e Lutfi Hazirit është shumë e njohur. Pikë së pari sepse ka qenë kryetar i Gjilanit dhe ka pasur shumë poste publike , dhe duke e njohur punën e tij në të kaluarën s’mund të pres shumë nga ky kryetar , por gjithsesi qytetarët e votuan dhe për hir të tyre duhet ta respektojmë dhe të presim për zhvillimet e mëtutjehsme” tha Rudaku.
Përndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, ka qenë opozita më aktive e cila ka shpalosur problemet në nivel komunal, e që gjithashtu, në këtë kontekst duhet të vazhdojë si e tillë edhe tani në rrugën e saj opozitare. /Edona JERLIU/