Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se janë tejet e shqetësuar me zhvillimet në Radio Televizionin Publik të Kosovës e sidomos ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe degradimin që po i bëhen këtij mediumi. RTK është bërë çerdhe e punësimit për grupe të ngushta interesi si dhe mjet propagandues në duart e pushtetit, si dhe i shkeljeve ligjore nga vet menaxhmenti i tij.
Ja reagim i iVetëvnedosjes:
“Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, animet politike në programet informative, keqmenaxhimi i financave, janë vetëm disa nga shkeljet që e shoqërojnë këtë institucion tani e sa vite.
Rasti i fundit i emërimit të redaktorëve të lajmeve dhe kryeredaktorit të Kanalit 5, ku njëri nga të emëruarit, Ismet Hajrullahu, bashkëshorti i anëtares së bordit, Majlinda Hajrullahu, është në konflikt të drejtpërdrejtë të interesit dhe përbën shkelje të nenit 25 dhe nenit 27 të Ligjit për RTK-në, si dhe është vetëm një shembull në vazhdën e shkeljeve të vazhdueshme që janë bërë në këtë institucion publik.
Ne e përkrahim plotësisht, protestën e sotme të redaktorëve të dhomës së lajmeve dhe personelit në përgjithësi, kundër emërimeve politike në këtë medium, dhe vënies së tij në shërbim të këtij pushteti që i ka kapur edhe institucionet tjera publike.
Bordi i RTK-së, si organi më i lartë, duhet të fillojë të ushtrojë funksionin e vet mbikëqyrës dhe t’i adresojë shqetësimet e ngritura, në veçanti nga Sindikata e Punëtorëve dhe redaktorët e RTK-së, për t’i dhënë fund shkeljeve ligjore dhe ndërhyrjeve në pavarësinë editorial të këtij institucioni.
Themelues i RTK është Kuvendi i Kosovës e jo Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili po e trajton këtë institucion si të ishte prona e tij private, duke bërë ndërhyrje të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta në politikat redaktuese të këtij institucioni.
Kuvendi i Kosovës si themelues dhe financuesi kryesor i RTK, përmes komisionit parlamentar për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, duhet të kujdeset për mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga institucioni i RTK si dhe ky institucion t’i kthehet interesit të publikut”.