Të punësuarit në Radio Televizionin Bujanoci, anëtarët e Sindikatës së Gazetarëve (SINOS), kanë dërguar letër të hapur kryetarit të Serbisë, kryetarit të Qeverisë, kryeparlamentares, kryetarëve të grupeve parlamentare, Ministrisë së Kulturës dhe Informimit, Trupit Koordinues, kryetarit të komunës së Bujanocit dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.
Me anë të kësaj letre drejtuar Tomisllav Nikolliqit, Aleksandar Vuciqit, Maja Gojkoviq, Ivan Tasovac dhe zyrtarëve tjerë, kërkohet parandalimi i privatizimit të Radio Televizionit Bujanoci (RTB).
Këtë apel punëtorët e RTB-së ia kanë dërguar edhe Gjykatës Kushtetuese, prej të cilës kërkojnë që urgjentisht të deklarohen rreth kushtetueshmërisë së ligjeve për media, shkruan Danas, transmeton Titulli.com.
Kërkesën e kanë nënshkruar të punësuarit e të tri nacionaliteteve, shqiptarë, romë dhe serb, ndërsa në të në mes tjerash thuhet:
“Ne, poshtë nënshkruesit apelojmë që në përputhje me funskionin të cilin e ushtroni, të mos lejoni shuarjen e Radio Televisionit të Bujanocit dhe t’i ndaloni pasojat të cilat dalin nga kjo procedurë. Radio Televizioni i Bujanocit profesionalisht ushtron funksionin e vet kushtetues dhe ligjor – me kohë dhe në mënyrë të tërësishme njofton qytetarët rreth gjithave çështjeve të rëndësisë jetësore në këtë mjedisë. Me miratimin e setit të ri të ligjeve për media, vetqeverisja lokale duhet të tërhiqet nga mediat deri më 1 korrik, ndërsa këshillave nacional i`u është lejuar të themelojnë media. Në këtë mënyrë do të shuhet RTV Bujanoi, i cili emiton program në gjuhën shqipe, serbe dhe rome, ndërsa iu ipet mundësi që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve të hap televizionin e vet.
Ne, të punësuarit në këtë shtëpi mediale, me mbështetjen e udhëheqësisë së komunës, nuk dëshirojmë dhe nuk lejojmë që të na ndani në bazë nacionale. Kërkojmë nga Ju, që rregulloret e ligjit të përshtatni me Kushtetutën e Serbisë, ku në paragrafin 50, thuhet se që gjithkush në Serbi mund të themelojë media.
Ju jeni të vetmit në këtë moment, që me vendimin tuaj mund t’i parandaloni pasojat e mëdha të cilat do të dalin pas privatizimit të shtëpisë sonë mediale.
Vendimi i vonuar i Gjykatës Kushtetuese nuk mund t`i përmirësojë pasojat e pakthyeshme të cilat mund të bëhen”, thuhet në letrën dërguar zyrtarëve dhe institucioneve më të larta shtetërore.
Kujtojmë se Ministria e Kulturës dhe Informimit ka bërë të ditur se mediat publike që për themelues kanë Kuvendet Komunale në Serbi, duhet të privatizohen deri më 1 korrik të këtij viti.