Rreshtat në vijim janë shkruar në frymën e përpjekjeve tona për të shpjeguar nevojën për reformën në Islam. “Imani” është fjala e parë prej shumë të tjerave që tani e tutje do t’i shpjegojmë. Këto që po i lexoni, në fakt, janë shkoqitje nga ligjëratat që dikur i kishim mbajtur ditëve të shtune në Xhaminë e Madhe në Gjilan.
Vazhdojmë të themi se keqinterpretimi i Kuranit është faktori kryesor i prapambeturisë së myslimanëve. Për më tepër, është keqprezantimi i Muhamedi a.s., sidomos i qasjeve të tij ndaj problemeve dhe dinamikave të kohës kur jetoi dhe i mënyrës se si do të vepronte sot po të ishte gjallë.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Çdo entitet në natyrë ka brendinë dhe formën e jashtme. Brendia është substanca ndërsa forma është hija e jashtme që i vishet substancës. Substanca dhe hija janë të pandashme mes vete, sepse të ndara nuk kanë kurrfarë kuptimi. Substanca është nocion i përgjithshëm, që nuk preket, ndërsa forma e jashtme është entitet i prekshëm, i kapshëm dhe i përkufizuar.
Përderisa forma e jashtme e imanit është besimi në Zotin i shprehur me fjalë, substanca e imanit është energjia e brendshme që buron nga besimi jonë në Zot. Ka ndodhur shumë herë kur dijetarët islam u lëshuan në përkufizime të stërzgjatura të fjalës “iman”, që lanë pas dore brendësinë e besimit, ku dëmtuan përmbajtjen e imanit, përmbajtje kjo që është themeli i të qenit besimtar.
U shkruan libra të tërë mbi atë se çka është iman; Besim vetëm me zemër, me zemër e me gojë, apo të dyja së bashku dhe me vepër? Numri kaq i madh i definicione për fjalën “iman” kishte reflektuar gabueshëm në kuptimin e drejtë dhe të thellë të kësaj fjale.
Sipas konceptit si e kuptojmë ne Kuranin, imani është më shumë se vetëm besimi ynë në Zotin, në engjëjt, në librat e shpallur, në profetët, në ditën e gjykimit, në kadanë dhe kaderin.
T’i jepet kaq shumë rëndësi formës së jashtme të imanit dhe të lihet pas dore kaq shumë domethënia e tij, për Islamin është i papranueshëm. Islami i lufton skajshmëritë. As vetëm forma e as vetëm brendia nuk janë të mjaftueshme. Parim i Islamit është mesi i artë.
Sikur që është shpirti si i vetëm pa domethënie, edhe materia si e vetme nuk i nevojitet Islamit. Islami është fe që i lidhë ngushtë të dyja. Andaj, për të kuptuar më drejt se çka është imani, sidomos nga këndvështrimi i formës dhe përmbajtjes, e shohim të udhës që në fillim të nënvizojmë se çka në fakt nuk është iman!
Nga Kurani mësojmë se fjala “iman” nuk është shprehje e thjeshtë me të cilën deklarojmë besimin tonë në Zotin. Aq më pak është kategori filozofike. Imani nuk është besim sa për të besuar, sepse Zoti nuk ndjenë nevojë për besimin tonë që ta zbulojmë. Zoti është i Vet-mjaftueshëm. Imani nuk është teori e thatë që mund të “zbulohet” nëpërmes përkufizimeve të deformuara me të cilat janë të stërmbushura vepra të panumërta të dijetarëve islam.
Fjalët e thata të cilat imanit ia humbin përmbajtjen bien ndesh me mësimet, jetën dhe veprimtarinë e profetit të njerëzimit, Muhamedit a.s. Sukseset e profetit ishin rezultat i punës së tij të palodhshme për t’i kontribuar shoqërisë. Pozita e tij e lartë nuk ishte pse ai qe i dërguar i Zotit. Edhe titullin “I dashuri i Allahut” e fitoi nëpërmes punës kreative të tij.
Ai thoshte se imani nuk është privilegj, por detyrim për punë. Edhe kur u ngrit në qiellin e lartë, atje ku do të jetonte pa brenga e pa probleme, ai kishte kërkuar nga Zoti i tij ta kthente në tokë, aty ku do të ballafaqohej me problemet dhe sfidat e jetës. E dinte fare mirë se misioni i tij ishte puna në tokë, jo në qiell. Imani, pra, nuk është premtim i rrejshëm për lumturi veç pse jemi besimtarë, e as besim në ëndrra se jeta e njeriut begatohet vetëm pse deklarohemi për besimtarë.
Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut është diçka, e diçka tjetër është puna jonë sipas porosive të Tij. Nga këtu, besimtari nuk pret shumë e as verbërisht nga ajo që është metafizike, që quhet mrekulli, por i beson vetvetes dhe bënë përpjekje për t’ia dalë mbanë. Imani është e kundërta e besimit në “shpëtimtarët” që mund të vijnë nga jashtë për t’i kryer detyrimet tona të cilat ne duhet t’i kryejmë.
Sipas Islamit, besimi në ardhjen e “Mehdiut Shpëtimtar” është besëtytni, ndërsa besëtytnitë janë të urryera tek Zoti i Madhërishëm. Besëtytnitë janë kotësi që nuk përkojnë me realitetin, aq më pak me ligjet e natyrës që i promovon Kurani. Në Islam, besimi në ardhjen e shpëtimtarëve nga matanë nesh është besim rreptësisht i ndaluar.
Sipas parimeve të Islamit, imani është fuqia e brendshme që na nxitë në luftën për një jetë më të mirë. Imani është praktikë, jo fjalë e thatë, është kategori morale që na mëson se është e moralshme të vihen sendet në vendin e vetë dhe të kryhen obligimet në kohën e duhur.
Nga kjo perspektivë, imani është njohja e ligjeve të natyrës dhe depërtimi në to. Nëse themi se i besojmë Kuranit i cili thotë se Zoti në natyrë manifestohet nëpërmes ligjeve të saj, atëherë studimi dhe respektimi i këtyre ligjeve është obligim për muslimanin. Ligjet e natyrës, sipas Islamit, janë vet emrat e Zotit dhe atributet e Tij.
Besimtari i vërtetë nuk mashtrohet me energjitë e mbinatyrshme se kinse ato ndërhyjnë dhe prishin rendin e jetës. Çdo gjë në këtë botë lëvizë sipas rregullit strikt që e ka krijuar Zoti. Qysh në ditët e para të shpalljes, Muhamedit a.s. i ishte tërhequr vërejtja që në vend të shpresave t’i rrekej punës për t’i shtyrë proceset e jetës përpara.
Nga ky këndvështrim, imani i vërtetë është njohja e realitetit të jetës dhe çuarja e amanetit në vend. Amaneti të cilin e përmend Kurani, me të cilin u ngarkua njeriu, nuk është gjë tjetër pos punës së pakompromis për një jetë të qëndrueshme, të dinjitetshme dhe në përputhshmëri me vullnetin e Zotit dhe ligjin e Tij në natyrë.
Përndryshe, si dhe përse do të caktohej dikush për Zëvendës i Zotit në tokë, nëse nuk i njeh ligjet e Zotit në te? Pra, imani nënkupton përpjekjen për të zbuluar rendin e Zotit, aty ku fshihen thesaret e Tij. Besimtari i vërtetë i hulumton ato pasuri, i gjen dhe i shfrytëzon për të mirën e vet, të familjes dhe të mbarë shoqërisë. Fitorja dhe shpëtimi i besimtarit për të cilin flet Kurani, në fakt është “realizimi i fatbardhësinë në tokë (dynja), para fatbardhësisë në qiell (ahiret), sepse, mbretëria qiellore nuk mund të fitohet pa fituar mbretërinë në tokë”.
Ka shumë ajete të Kuranit që edhe më tutje gabimisht komentohen. Shikojeni si është keqinterpretuar ajeti i parë i kaptinës “El- Mu’minun”. Aty thuhet se besimtarët janë të shpëtuar dhe janë fitimtarë. Si është e mundur kjo? Më thoni; Ku janë besimtarët që sot po triumfojnë dhe ku janë të shpëtuarit? Nëse gjendja e shoqërive myslimane sot është kjo që është, atëherë, a nuk kemi të drejtë të themi se Kurani qenka lexuar gabueshëm? A nuk qenka interpretuar gabimisht Kurani?
Triumfi i përmendur në këtë ajet nuk është dhuratë, as sevap që u jepet njerëzve vetëm pse thonë se janë besimtarë! Edhe pse ky ajet tregon qartë se shpëtimi i besimtarëve është i kushtëzuar me kuptimin e drejtë të fjalës iman, besimtarë edhe më tutje anashkalojnë njohjen dhe zbulimin e jetën dhe çdo gjë tjetër që na rrethon. Njohja e këtyre ligjeve është kusht për të qenë besimtar i shpëtuar. Zëvendës i Zotit në tokë nuk mund të bëhet njeriu që nuk i njeh ligjet e Zotit në natyrë, por as i nënshtruari.
Nga këtu, planet që i bëjmë, nëse nuk janë në koordinim me ligjet e Zotit, punët tona dështojnë. Ekziston një dallim i madh mes asaj që dëshirojmë ta bëjmë dhe asaj që është e mundshme të bëhet.
Dallimi reduktohet për aq sa planet tona janë në përputhshmëri më mundësitë që ne i disponojmë. Sipas Islamit, metoda, vepra, mësimi dhe dija që nuk përkojnë me realitetin e natyrës, ato as janë të dobishme as mund të realizohen.
Kurani kategorikisht nënvizon faktin se natyra vepron sipas një rregulli tepër të sistemuar të cilit i nënshtrohet edhe njeriu. Këtë ndërlidhje kaq të ngushtë dhe kaq precize, Kurani e quan sunnetullah.
Ndonjëherë, imani në Zotin si kushti themeltar për triumf të besimtarit, tek disa njerëz reflektohet pa u hetuar, dhe, shumë herë pa u shqiptuar fare. Kjo pavetëdije dhe ky zhvillim i brendshëm në njeriun, imanit aspak nuk ia humb vlerën, sepse, sipas kuptimit të këtij ajeti, imani nuk është fjala, por është vepra.
Njohja e jetës dhe ushtrimi i ndikimit mbi te është kushti i kushteve për të triumfuar mbi jetën. Andaj, lidhja reciproke mes fjalës “iman” dhe deklarimit të individit sa është besimtar, varet prej fuqisë dhe mënyrës si e kupton besimtari fjalën iman.
Besimtari më i mirë është ai që ka kuptuar peshën e dijes mbi vetveten, si i tillë, ai është i shpëtuar. Sipas ajetit në fjalë, suksesi dhe triumfi janë ato që e veçojnë besimtarin e vërtetë, jo dështimi. Cili do interpretim tjetër që i bëhet fjalës “iman-besim” në ajetin e parë të sures “El-mu’minun”, është interpretim i mangët dhe thatë.