Në kohën kur komuna e Gjilanit realizon projekte infrastrukturore dhe i promovon si storie suksesi, sidomos asfaltimin e rrugëve të ndryshme, ka edhe rrugë të tilla, në gjendje të rëndë, mandej me një prioritet, siç është rruga për te deponia, e cila do ndërhyrje urgjente, andaj komuna duhet ta ketë parasysh.
Rruga për te deponia ka frekuentim nga makineri të rënda pasi aty i sjellin mbeturinat shumë komuna dhe se me këtë gjendje dhe me përkeqësim të kushteve atmosferike, sidomos në dimër, mund të bëhet rrugë e pakalueshme, për rrjedhojë lind pyetja si do të bëhet me mbeturinat, prandaj komuna e Gjilanit, drejtoria përkatëse, duhet të ndërmerr masa të menjëhershme.
Kompania EcoHigjiena në Gjilan është njëra ndër kompanitë që merret me grumbullimin e mbeturinave dhe i dërgon ato në këtë deponi dhe se ajo i ndjenë më së shumti vështirësitë e kësaj rruge.
Xhelil Sahiti, menaxher i njësisë punuese të kompanisë EcoHigjiena në Gjilan ka thënë për Portalin 2LONLINE, se kjo kompani është e ballafaquar një kohë të gjatë me probleme të kalimit në këtë rrugë, përkatësisht transportimin e mbeturinave deri në deponinë sanitare.
Sipas tij, kjo rrugë, në më pak se gjysmë kilometër, është e dëmtuar, pothuajse është bë “copa-copa”, pra gropa-gropa dhe shto këtu edhe tatëpjetën dhe makineritë e renda që e frekuentojnë, e bëjnë edhe rrugë të rrezikshme.
Ai beri me dije se në këtë deponi transportohen mbeturinat komunale nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Novobërda, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu Shtërpca, Hani Elezi, Ferizaj, Kaçaniku dhe Shtimja.
Kjo rrugë është rregulluar atëherë kur është rregulluar edhe deponia në vitin 2003 dhe deri me tani asnjëherë nuk është sanuar apo riparuar seriozisht kjo rrugë.
“Ne si kompani transportojmë mbi 40 mijë tonë në vit mbeturina me të tjerat kalon 100 mijë ton në vit. Kjo rrugë vetëm gjysmë kilometër është e rëndësisë së parë dhe patjetër duhet të asfaltohet urgjentisht. E tash kur edhe po ofrohet dimri, me ndërrimin e kushteve klimatike kjo rrugë do të bëhet edhe më e pakalueshme”, theksoi Sahiti.
Sipas tij, si rrjedhojë e këtyre gropave, rreziku është i dyfishtë edhe material, edhe për njerëz, sepse kjo rrugë ka një tatëpjetë 15 përqindësh dhe nëse vije deri te defekti në automjete mund të ketë pasoja.
“Ne gjatë operimit, këtyre viteve vazhdimisht kemi pas frena të dëmtuara, goma, kokat e timonëve, diferencialet, e shumë pjesë të tjera që janë të kushtueshme sepse këto automjete janë të tipit, për të cilat pjesë duhet porositur jashtë vendit. Si kompani i kemi paralajmëruar edhe zyrtarët komunal se gropat janë shumë të hapura dhe është dashtë edhe vet të hedhim zhavorr, disa herë për t’u ruajtur, por me rënien e një rige shiu, sikur zhbëhen intervenimet dhe rikthehen gropat”, ka thënë tutje Sahiti i EcoHigjienës, transmeton 2LONLINE.com.
Ai ka bërë me dije se kanë kërkuar nga strukturat komunale që të ndërmarrin veprime konkrete me kohë sepse jemi në prag të dimrit dhe nëse kjo rrugë mbyllet do të bllokohen edhe shërbimet për të gjitha ato komuna që i dërgojnë mbeturinat në këtë deponi që punon 24 orë.
“Kërkesa gojore janë bërë shumë herë, por edhe me shkrim si dhe në takimet e ndryshme ku kemi qenë me përgjegjës të komunës, aty ku kemi mundur kemi shfrytëzuar rastin për ta ngritë këtë çështje, por se përveç premtimeve konkrete s’ka asgjë”, ka thënë tutje, Xhelil Sahiti, menaxher i njësisë punuese në EcoHigjienë.
Ai kërkoi që t’i jepet prioritet kësaj rruge sepse është e një rëndësi të veçantë sepse po u bë e pakalueshme dhe nuk mund të dërgohen mbeturinat në deponi, rrjedhimisht mund të krijohen deponi të egra, andaj komuna duhet të reagojë.
Përndryshe, rruga përveç që është pa përkujdesje institucionale, Sahiti thotë se ajo është shndërruar vende-vende edhe në deponi të egra ku qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin mbeturina përgjatë kësaj rruge, çka e bënë edhe më të vështirë gjendjen e saj.
Përndryshe, nëse komuna e Gjilanit nuk ka mjete të mjaftueshme për ta sanuar, a për ta asfaltuar, duhet t’i drejtohet për ndihmë edhe qeverisë sepse është rrugë me prioritet dhe se deponinë e shfrytëzojnë edhe komunat tjera, kompanitë e grumbullimit të mbeturinave të atyre komunave.
Gjithsesi, kjo është një rrugë që do ndërhyrje të menjëhershme. /2LONLINE/