/2L ONLINE/ – Sporti në vetvete ka diçka unike që e dallon nga fushat e tjera. Ajo flet me një gjuhë të vetme, LËVIZJEN. Dua të them pak fjalë duke e nisur nga e vërteta e thjeshtë, se sporti është kulturë, kulturë qytetare, është kulturë demokratike, është kulturë ekonomike, kulturë shtetërore dhe kur këto i përmbledhim në një të tërësi të vetme, atëherë del të jetë ambasadore e fuqishme e një vendi.
Në aspektin individual po ashtu sporti është pa dyshim dhe shëndet, është stil jetese, është cilësi jete, por edhe sfidë dhe sakrificë gjithashtu.
Në fund të fundit sporti është një vizion shoqëror për jetën në një vend. Kur e shohim sportin kështu dhe i mbyllim sytë për të pare të gjitha aspektet e realitetit ku jetojmë, natyrshëm mund ta gjejmë tek dekadenca tërësore e sportit, një nga arsyet themelore të dekadencës tërësore të jetës sociale në një vend.
Për të arritur rezultate kulminante në sport s’do mend se duhet të kontribuoj një shoqëri e tërë. Fillesat e suksesit përfitohen nga disa faktorë gjenetik ku individi i merr nga familja, gjithashtu kushtet dhe mundësitë që familja i’a ofron përpos edukimit në përgjithësi.
Në vazhdën e kësaj kontribut do të duhej të japin mësuesit e Edukimit Fizik dhe Sportit që nga mosha e hershme, gjë që e kanë më të lehtë zbulimin e talentëve. Dhe nga ajo moshë e re (8 vjec në disa sporte e në disa edhe më herët 6 ose 7vjeç) fillon orientimi i tyre në sportet konkrete. Kjo është vetëm një nga periudhat fillestare të një sportisti në ardhje. Pas kësaj do të duhet shumë vite mund, sakrificë dhe vullnet që të prekësh ëndrrën kulminante.
Përpos infrastrukturës sportive, mjeteve financiare dhe një mori faktorësh tjerë të ngjashëm të cilat politika dhe qeveritë vendore ia ofrojnë sportit, si rrjedhojë e suksesit është edhe njohuritë shkencore të mësuesit sportiv. Madje trajnerët më të mire duhet të angazhohen që të punojnë me grupmoshat e reja ( fëmijët sportistë), nga që një element teknik i mësuar gabim, duhet që mijëra e mijëra përsëritje të teknikës të ekzekutohen në mënyrën e drejtë që të arrijmë deri tek përmirësimi.
Si rezultat i kësaj ndodhë shumë herë që trajnerët nuk është se ia qëllojnë që të përpilojnë planet dhe programet stërvitore afatgjata me saktësinë e duhur. Në lidhje me këtë një student në një nga ligjëratat më pyeti: “Çka nëse një trajner nuk arrin të përpiloj plan- programin e duhur?
Përgjigja ime ishte kjo: Atëherë nëse nuk kemi treguar aftësi në përpilimin e planë- programeve, atëherë ne kemi manipuluar me ëndrrën e një fëmije, dhe e kemi mashtruar se do të bëhet sportist dhe gjithashtu ne e kemi bërë një mundim 10 vjeçar, pa e ditur se cili do të jetë suksesi përfundimtar”.
Planifikimi është procesi më i rëndësishëm që mund të përdorë një trajner, për të organizuar dhe realizuar me efektivitet të plotë arritjen e një cilësie të lartë, përsosjen e mjeshtërisë tekniko- taktike e cila gjithnjë është më e ndërlikuar, si dhe treguesve të tjerë siç janë: kondicioni fizik, strategjia e lojës, përgatitja psikologjike etj, që mbështesin atë, dhe më të cilën mund të realizohet vetëm nëpërmjet një planifikimi të saktë dhe të drejtë.
Nëse të gjitha këto shkojnë në përpikërinë e duhur patjetër se do të ketë një përfundim të suksesshëm, përndryshe do të jetë shumë e vështirë.
Parim tjetër për arritjen e suksesit në sport është që të shihen faktorët trashëgues të fëmijëve gjatë përzgjedhjes dhe gjithashtu faktorët latent të cilat i zbulojmë vetëm përmes matjeve antropometrike, motorike dhe testeve të inteligjencës ( kjo e dyta arrihet edhe sipas moshës dhe me punë serioze) dhe po ashtu përcjellja e tyre çdo 6 muaj.
Shumë studime japin konkluzionet e tyre për faktorin e rritjes (lartësisë trupore) shembull. Në shumë nga to thuhet se kjo aftësi është 97% faktorë trashëgues dhe sporti ( aktiviteti fizik) ndihmon vetëm 3%, gjë që në shumicën e rasteve del të jetë reale.
Matjet janë treguesit më të sakt në përzgjedhjen e grupmoshave dhe përcjellja e tyre me përpikëri.
Gjithashtu kemi faktorët social që janë një tregues për arritje sportive. Them kështu nga që janë kushtet financiare, përkrahja e familjes dhe e shoqërisë ato të cilat të dërgojnë drejt sukseseve.
Sportistët e suksesshëm kanë vetëbesim dhe vetëvlerësim të madh. Ata e dine që gjithçka fillon nga brenda. Të besosh te vetja jote është motori që shtyn gjërat përpara mirëpo, jo çdokush mundet dhe ka aftësi të përdorë këtë formulë!
Mund të them me plot gojën se në sport nuk ka arritje për mes eliminimit tjetrit sikurse që ndodhë në shumë sferat tjera. Aty gara gjithmonë është e shëndoshë dhe në fund gjithmonë urohet kundërshtari. Prandaj sot sporti është biznes me fuqi financiare, sepse individët që e përcjellin nuk shohin vetëm atraktivitetin e lojës por edhe kulturën të cilën e sjellin rregullat e saj.
Këto që u përmendën janë vetëm disa nga faktorët fillestar që të dërgojnë drejt suksesit sepse, për të arritur rezultate kulminante në sport ka shumë e shumë rregulla të pashkruara ( të lehta dhe të vështira) ku sportistët, skuadrat e tyre, trajnerët e shumë të tjerë, duhet që me përpikëri t’i ndjekin.
Vetëm ndjekja e rregullave të dërgojnë drejt SUKSESIT. /2L ONLINE/