Banorët e njërës nga rrugët “Avdullah Presheva’ në qytetin e Gjilanit, kanë ngrehur shqetësimet e tyre se rruga e tyre e dëmtuar dhe e pashtruar përveç telasheve tjera, po u shkakton shqetësime edhe për shkak të sigurisë, për shkak se edhe pusetës po u dëmtohen kapakët dhe se rreziku për t’u lënduar në to është i vazhdueshëm.
Një rrugë që është lënë pa shtruar edhe për diku rreth 70/80 metrash ka bërë që banorët e asaj pjese, të kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa t’i rregullojnë pusetat dhe ta asfaltojnë edhe këto metra të mbetura, por që ndër vite ka mbetur vetëm kërkesë e parealizuar.
Qazim Qerimi që ka shtëpinë e tij në këtë pjesë thotë se kanë kërkuar disa herë nga institucionet që të shtrojnë edhe këtë pjesë të mbetur me asfalt apo edhe kubëza, por përveç premtimeve dhe përgjigjeve se do të ndodh sot, do të ndodhë nesër, do të bëhet verës, do të bëhet pranverës…, asnjëherë konkretisht nuk është ndërmarrë diçka, shkruan 2LONLINE.com.
Qerimi thotë se kjo pjesë e pashtruar e rrugës është dëmtuar, shumë ka gropa, dhe për rrjedhojë edhe pusetës po i dëmtohet kapaku. Ata vet kanë intervenuar disa herë, duke vendosë kapakë tjerë, por prapë po dëmtohen nga qarkullimi i automjeteve dhe ja edhe sot është e pambuluar dhe paraqet rrezik për kalimtarë.
Ai tha se në këtë rrugë qarkullojnë automjete të ndryshëm dhe në këtë gjendje të rrugës edhe po dëmtohen kapakët e pusetës. Sikur të ishte rruga e shtruar edhe puseta do të ishte e siguruar për të mos u dëmtuar nga lëvizja e automjeteve.
Qerimi tha se disa herë kanë kërkuar nga organet komunale të ndërhyjnë për ta shtruar edhe këtë pjesë të pashtruar të kësaj rruge që nuk kanë mbetur edhe shumë metra, por përveç premtimeve se do të rregullohet, nuk merren hapa të tjerë edhe pse me vite është kjo pjesë e pashtruar dhe ajo në vazhdimësi dëmtohet.