/Kahe dhe të dhëna të një krahu të letërsisë shqiptare/
Shkruan Hysen KËQIKU
/2L ONLINE/ – Panorama letrare “Psherëtimë për tokën” e krijuesve imagjinativë të rajonit të Anamoravës, përfshinë Gjilanin, Dardanën (ish Kamenicën), Vitinë, Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën. Kjo panoramë është realizuar si nevojë shpirtërore e krijuesve dhe e të gjithë atyre që këtë lloj të krijimtarisë e sajojnë dhe e konsiderojnë si një lajmëtare, e cila nxjerr në shesh të panjohurën dhe të mundshmen.
Krijimtaria letrare e krijuesve të kësaj pjese, të etnitetit tonë, e ka kryer një mision të shenjtë, ashtu siç janë të shenjta të gjitha ato ndjenja të mbrujtura e të skalitura si një pjesë në tërësinë e letërsisë kombëtare.
E gjithë ajo që është përfshirë brenda kopertinave të kësaj panorame, është një fragment letërsie, sepse edhe numri i krijuesve edhe pjesët që janë zgjedhur nga krijimtaria e tyre, janë fragmente, me të cilat është bërë një përpjekje për ta pasqyruar një pjesë të shkëputur nga imagjinata e shpirtit krijues.
Rruga, për trasimin e rrafshit krijues të kësaj treve, pa trashëgimi të hershme, pos letërsisë popullore, nuk ka qenë e lehtë. Ajo ka ecur me hapa të ngadalshëm por të sigurt, gjithmonë duke sogjetuar e duke u mbrojtur nga misionarë të ndryshëm që tentonin ta klishetizonin e ta venin atë në shërbim të planeve e elaborateve të hartuara nëpër kabinete ogure të sistemeve robëruese.
Falë talentit, dhuntisë krijuese dhe shpirtit të orientuar, krijimtaria imagjinative u bë lajmëtare e atyre qëllimeve që në forma të ndryshme, helmin e mbështillnin me ari, duke u shtirë si engjëj që kalëronin natën për të mbjellë të keqen, ndërsa ditën, sheshonin pas “të mirave”. Këtyre hijeve, iu kundërvu krijimtaria imagjinative me forcën që ka.
Ajo bëri mrekullia duke e ruajtur të njerëzishmen dhe atë që shëron shpirtrat. Ajo u bë shprehje që: herë dhemb, herë miklon e herë shëron.
Falë forcës krijuese, e duke u mbështetur në letërsinë popullore, ku gjeniu anonim, kishte derdhur tërë nektarin e shpirtit shqiptar, krijuesit letrarë, me krijimet e tyre, jo vetëm atë errësirë që vinte nga anë të ndryshme, e mbuluan me dritë por, me veprat e tyre kaluan kufijtë rajonal dhe u futën në rezidencën e kulturës krijuese letrare. Pra, nga ndikimi i letërsisë popullore dhe didaktike e deri tek një krijimtari, e cila kapi lartësitë e vlerave të larta artistike dhe një letërsi që muar shpërblimet më të larta për zënien e vlerave të mirëfillta ideore, përmbajtjesore dhe stilistike.
Krijuesit imagjinativë të rajonit të përfshirë në këtë panoramë, gjatë gjithë një gjysmëshekulli, prej kur u shkrua vjersha e parë letrare, (viti 1939 dhe vjersha “Larg duart” e krijuesit preshevar Ali Aliu-Kelmendi) e deri tek veprat më të reja, të botuara në vazhdimësi, shënuan rritën e vet për kultivimin e vlerave që i posedon një letërsi, e cila krijoi traditë në krijimtari.
Kjo rrugë e gjatë – gjysmë shekulli- ishte rrugë kërkimi dhe sakrifice, e cila gjatë gjithë kohës sfidoi dhe, me kualitetet dhe numrin e veprave që ka sot, arriti fitore sepse kultivoi të gjitha gjinitë letrare duke e rritur numrin e veprave të letërsisë kombëtare.
Për rritjen e dashurisë ndaj artit të bukur, rol të rëndësishëm dhe vendimtar, luajtën klubet letrare të themeluara nëpër qendrat urbane, në shkollat fillore e të mesme, ku shërbyen si xixa që çajnë errësirën për të dalur në hapësirë drite.
Të ndikuar nga klubet letrare, të themeluara nga krijues letrarë të qendrave të përfshira në këtë panoramë, aty-këtu, nxorën në dritë fletushka, gazeta e revista letrare me të cilat e shtynë përpara motivin për krijimtari, jo vetëm letrare por edhe të arteve tjera të bukura.
THEMELIMI I KLUBEVE LETRARE DHE RËNDËSIA E TYRE NË PËRHAPJEN E FJALËS SË BUKUR LELTRARE
Në Preshevë:
Krijuesit dhe dashamirët e fjalës së bukur letrare të Preshevës, janë të parët që në vitin 1970, morën nismën për themelimin e një klubi letrar dhe për një kohë të gjatë, zhvilluan një aktivitet të dendur letrar, si në rrethin e Preshevës, ashtu edhe më gjerë në trojet etnike shqiptare të Luginës së Preshevës.
Puna me ngulm dhe e pandërprerë e krijuesve preshevarë u kurorëzua me sukses në vitin 1975, kur u themelua Klubi letrar “Feniks”, duke përgëzuar punën dhe angazhimin e pandërprerë të Hasan Emërllahut, Demir Behlulit, Sadete Emërllahut, Mexhit Mehmetit, Jonuz Fetahajt dhe Gani Misinit.
Puna paraprake e këtyre veprimtarëve kulturorë, ishte ngjallja e dashurisë ndaj artit të shkruar, si dhe ndërmarrja e nismave tjera kulturore, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej nga pushtetarët komunistë të regjimit antishqiptar të Serbisë.
Një sukses i këtyre ndërmarrjeve, u shënua në Shkollën fillore të Preshevës në vitin 1973, kur Mexhit Mehmeti, nxori fletushkën “Filizat”, faqet e së cilës, të ilustruara nga Demir Behluli, mbusheshin me vjersha dhe tregime.
Nga veprimtaria e klubit letrar “Feniks”, në vitin 1979/80 vlen të përmendet nxjerrja e “Panoramës” letrare, e cila në dy numra, sa iu lejua të dalë, u botuan krijimet e anëtarëve të këtij klubi, i cili kurrë nuk e ndërpreu aktivitetin letrar.
Klubi letrar “Feniks”, tani më, e ka krijuar fizionominë e veprimtarisë letrare. Ata, pas themelimit të takimit tradicional letrar, “Takimet e krijuesve preshevarë”, për çdo vit, tubohen dhe sheshojnë për sukseset në këtë fushë të veprimtarisë. Ky klub, i përkrahur nga Qendra Kulturore “Abdullah Krashnica”, në kuadër të së cilës punon dhe vepron, merret edhe me botimin e veprave letrare të anëtarëve të vet, të atyre veprave që i plotësojnë kriteret ideo – artistike dhe letrare.
Në Viti:
Motivin për krijimtari të përgjegjshme letrare, në komunën e Vitisë, e nxiti aktiviteti krijues i klerit katolik shqiptar i Famullisë së Stubllës, i nisur dhe i motivuar nga revista moralizuese “Drita”, të cilën e redaktoi Don Lush Gjergji.
Numri i parë i kësaj reviste doli, më 25 mars 1970 dhe, në vazhdimësi ndikoi në rritjen e interesimit të veprimtarisë krijuese imagjinative.
Njëri prej shumë sukseseve të “Dritës” ka qenë ai i shpalljes se Konkursit për të gjitha llojet e arteve. Ky konkurs u shpall për herë të parë në vitin 1985, me rastin e kremtimit të 75-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze.
Me punimet e arritura në këtë konkurs, si prozë e poezi, vizatime, piktura dhe këngë të komponuara, të gjitha kushtuar Nënës Tereze, me të arrira të kapshme artistike, u siguruan krijimet e bollshme për përpilimin e librit “Lule për nënën”, i përgatitur dhe i redaktuar nga i ndrituri Don Lush Gjergji.
Me iniciativën e Famullisë së Stubllës, komuna e Vitisë, për herë të parë, më 28 shtator 1991 filloi “Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit”, me të cilat u shënua 85 vjetori i legalizimit të shkollës shqipe dhe 100 vjetori i lindjes së Dom Mikelit.
Në këto takime, që e kanë marrë karakterin tradicional, për çdo vjet, në muajin shtator, përpos tribunës shkencore dhe meshës së madhe, kushtuar kësaj dite, në këto takime mbahet edhe orë e madhe letrare.
Ora e madhe letrare e “Takimeve të Dom Mikel Tarabulluzit” në Stubëll të Epërme, që nga takimi i parë, ka qenë një tryezë e madhe, rreth së cilës është shpaluar fjala e bukur letrare, origjinale dhe në vazhdimësi, ka shërbyer si një mozaik letrar artistik me karakter nxitës, ngase në këtë orë të madhe letrare; vlerësohet dhe shpërblehet vjersha ose proza më e suksesshme nga juria profesionale.
Duke shfrytëzuar liberalizmin e politikës jugosllave ndaj “pakicave” kombëtare, bartësit e veprimtarive krijuese e kulturore, ndërmorën nisma të ndryshme, për themelimin e shoqërive të ndryshme kulturore dhe artistike, si dhe të klubeve e grupeve letrare edhe në qendrat tjera të rajonit
Në Gjilan
Nisma dhe përpjekjet për themelimin e një Klubi letrar, në Gjilan, kishin filluar edhe para vitit 1970 nga krijuesit letrar, por suksesi u arrit në vitin 1972, kur u themelua Klubi letrar “Dardania”, me përpjekjet e parreshtura të shkrimtarit Rexhep Elmazi dhe Shaip Krasniqi.
Pas themelimit të këtij klubi, filloi ngjallja e veprimtarisë krijuese, sepse që në fillim, tuboi rreth vetes krijuesit, të cilët kishin dalur me vepra të botuara dhe ata që herë pas herë botonin krijimet e tyre nëpër revista e gazeta. E tëra kjo ndikoi tek krijuesit e rinj, për t’iu afruar e për ta prekur sa më thellë fjalën poetike.
Duke marr parasysh, shpërndarjen e krijuesve gjilanas nëpër vende të ndryshme të punës, që në fillim, organizoi një takim tradicional letrar – “Takimet e vendlindjes”, i cili u mbajt që nga themelimi i klubit e deri në vitet e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në këto takime, ky klub, grumbulloi, jo vetëm krijuesit letrarë të Gjilanit, por edhe krijuesit e qendrave tjera të Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe krijues mysafirë nga mbarë Kosova e më gjerë.
Kryetari i parë i këtij klubi, Shaip Krasniqi e pas tij Ali Huruglica, vulosën suksesin e veprimtarisë krijuese, duke krijuar një rrugë institucionale dhe organizative me program të përcaktuar letrar.
Në kuadër të këtij klubi letrar, në vitin 1972, Ali Huruglica hapi një shkollë letrare për të vegjël, ku pas disa muajsh pune të suksesshme, me krijimet e zgjedhura të vijuesve, nxorri fletushkën letrare “Ylberi”, e cila doli vetëm në dy numra, e shtypur në mënyrë primitive në shaptilograf, mbase nuk u lejuan mjete financiare, as për ta vazhduar daljen e ndonjë numri tjetër.
Duke e parë të nevojshme, nxjerrjen e një reviste letrare, e në pamundësi materiale, në vitin 1978, u mor iniciativa që të botohet diçka e herëpashershme. Kështu në këtë vit, doli në dritë, vepra “Libri që po shkruhet” me krijime letrare të anëtarëve të klubit. I njëjti libër, me të njëjtat krijime, u botua në shqip dhe serbokroatisht, për ç’arsye u hargjuan shumë mjete dhe në mungesë të tyre nuk u lejua dalja e numrit tjetër vazhdues.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, u shua edhe veprimtaria e klubit letrar “Dardania”. Krijuesit letrarë u shpërndanë dhe për dy vjet nuk pati asnjë aktivitet gjegjës.
Pavarësisht nga ndikimi që pati Klubi letrar “Dardania, në Kombinatin e Tekstilit “INTEGJ” në Gjilan, në mars të vitit 1980, u themelua Klubi letrar “Çajupi”, i cili nën udhëheqjen e Demir Behlulit, bëri shumë për afirmimin e fjalës letrare të punëtorëve krijues.
Ky klub, për disa vite rresht, zhvilloi një aktivitet të madh letrar duke e afirmuar të bukurën e shprehur në vargje.
Krijuesit e zellshëm të këtij kombinati, nxorën edhe gazetën “INTEGJ”, të cilën e redaktonte krijuesi Bejtullah Mustafa. Në këtë revistë, përveç të dhënave informative, pati edhe faqen e letërsisë, ku botuan shkrime letrare origjinale.
Në kuadër të këtij klubi, punoi edhe redaksia e botimeve të veprave letrare dhe nxorri dhjetra libra me vjersha dhe tregime.
Në vitin 1990, krijuesit letrar Shefik Shkodra, Hysen Këqiku dhe Mehmetali Rexhepi, në Gjilan, themeluan Klubin letrar “Rexhep Elmazi”, i cili përkundër masave të hekurta të regjimit, shënoi rezultate të shkëlqyeshme për përhapjen dhe afirmimin e fjalës së bukur letrare, e cila u vu në shërbim të çështjes kombëtare.
Ky klub, pas një veprimtarie të papërsëritshme, në vitin 1992, organizoi tribuna të rregullta kulturore, një në çdo javë, ku u trajtuan tema të ndryshme nga letërsia. Veç tjerash, në të njëjtin vit botoi veprën “Agurrona” me krijime të zgjedhura të anëtareve të vet.
Për tri vjet rresht 1984, ’85 dhe ’86, Halim Vranovci, i cili atëherë ishte sekretar i Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Edukim dhe Arsimim Fillor në Gjilan, nxori në dritë revistën për fëmijë “Venera”.
Kjo revistë, ndryshonte nga simotrat e tjera të deriatëhershme për fëmijë, sepse në “Venera”, fëmijët ishin autorë të të gjitha rubrikave dhe punimeve që botoheshin në të.
Me këta fëmijë të zellshëm, të të gjitha shkollave fillore të komunës së Gjilanit, udhëhiqte kryeredaktori përgjegjës Halim Vranoci dhe redaktori i parë dhe i të gjithë numrave Hysen Këqiku, se kjo revistë kishte edhe redaktorin e dytë për punimet në gjuhën serbe.
Edhe kjo revistë nuk pati jetë të gjatë ngase, me keqësimin e situatës politike në Kosovë dhe rreth saj, numri i 13-të ishte i fundit edhe pse për aq kohë sa doli, ngjalli interesim për fjalën e bukur letrare tek lexuesit e shkollave fillore dhe ngriti nevojën për themelimin e grupeve letrare dhe aktiviteteve tjera kulturore, me karakter krijues, në të gjitha shkollat fillore.
Po në këtë vit, pra më 1992, në Gjilan, filloi të dalë gazeta informative, politike dhe kulturore “Vatra”, redaktor i së cilës ishte dëshmori i luftës së UÇK-ës, Tefik Zymberi. Kjo revistë, pos rubrikave të përmendura, pati edhe faqen e letërsisë, në të cilat u botuan krijime origjinale të krijuesve të vendit e më gjerë.
Një vit më vonë, më 1993, veprimtari Zekirja Abdullahu, në Gjilan, nxorri dhe redaktoi revistën e përkohshme për kulturë “Drita e jetës”, e cila në l6 numrat e saj, botoi faqe të tëra nga krijimtaria letrare në prozë, poezi dhe trajtesa të ndryshme letrare dhe fetare.
Që nga viti 1992, kur në Gjilan, filloi të mbahet manifestimi shumëkulturor “Flaka e janarit”, në shenjë përkujtimi të martirizimit për liri të dëshmorëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës e në kuadër të pjesës letrare të këtij manifestimi, në vitin 1994, doli numri i parë i revistës për letërsi, art e kulturë “Agmia” , e cila për disa vjet rresht, botoi krijimet në prozë e poezi që fituan në konkursin letrar, të redaktuara nga poeti Sabit Rrustemi.
Në Bujanoc
Në krahasim me qendrat e tjera urbane të këtij rajoni, Bujanoci, jo se nuk pati interesim për krijimtari letrare, por kushtet e krijuara nga trysnia e përpjekjeve të dominimit serb, e penguan dhe herë – herë i pamundësuan përpjekjet e veprimtarëve krijues letrarë.
Në këtë komunë, me përpjekje të parreshtura, në vitin 1992, për herë të parë, në historinë e saj, doli në dritë revista mujore “Jehona” të cilën e redakton edhe më tutje veprimtari dhe krijuesi Sevdail Hyseni.
Në Dardanë
Në Dardanë, Aty pas vitit 1990, kur represioni serb ishte më i theksuar, ndaj kulturës dhe traditës së popullit shqiptar, në shkolla të mesme të qytetit në Dardanë,u bënë përpjekjet e para për nxjerrjen e revistave shkollore, e cila nxiti në masë të theksuar ndjenjat për të krijuar dhe për të pasur vend që, ato të botoheshin.
Kështu në dhjetor të vitit 1995, në shkollën e mesme teknike të Dardanës, në redaktimin e krijuesit Nexhat Buzuku doli revista “Lajmëtari”, kurse në gjimnazin e po këtij qyteti, në maj të vitit 1994, doli revista tjetër “Dituria” redaktuar nga poeti dhe veprimtari Nexhat Rexha.
E tërë kjo veprimtari e nxiti kërkesën dhe nevojën që ky qytet ta ketë Klubin letrar.
Përpjekja dhe puna e palodhshme e guximtare, për kohën kur po flasim, e një grupi të përbërë nga Ibrahim Ibishi, Sinan Sadiku, Nexhat Rexha, Ganimet Klaiqi e ndonjë tjetër, në vitin 1996, e themeluan klubin letrar “Nositi”, i cili e shtriu aktivitetin letrar edhe në skajet më të largëta të rrethit të Dardanës deri në Tygjec, Velegllavë e Desivojcë.
Puna e suksesshme, disa vjeçare, e këtij klubi, u kurorëzua me nxjerrjen në dritë të revistës për kulturë, letërsi dhe artë “Nositi”, numri i parë i së cilës ,doli në vitin 2002, në redaktim të Sinan Sadikut.
Punën e suksesshme që pati shkrimtari Ali Hururuglica për nxerrjen e dy numrave të revistës për fëmijë “Ylberi” në vitin 1976, në vitin 1997 e vazhduan Avdush Canaj dhe Xhemajl Halili me nxjerrjen e revistës me të njëjtin titull, e cila për disa vjet rresht, hapi dyert e krijuesve dhe të krijimeve të trojeve kombëtare.
Në kuadër të redaksisë së“Ylberit”, herë pas herë, u botuan edhe vepra të ndryshme të krijuesve letrarë për fëmijë.
Në vitin 1997, krijuesi Shefik Shkodra, në Gjilan, nxorri revistën për letërsi, kulturë dhe art “Sogjetime”, e cila përveç krijimeve letrare në poezi, prozë dhe vështrime letrare, luftoi veprimet devijante që bëheshin në dëm të krijuesve dhe krijimeve të ndryshme letrare.
Duke u mbështetur në informimin e cunguar nga okupatori dhe nevojës që të dilet nga errësira informative, në vitin 1998, subjektet e bashkuara të partive politike në Gjilan, nxorrën gazetën informative, politike dhe kulturore “Bashkimi”. Këtë gazetë e redaktoi Nefail Haziri, e cila pati edhe faqen e kulturës, në kuadër së cilës u botuan edhe shkrime letrare të autorëve të ndryshëm gjilanasë.
Të gjitha këto përpjekje serioze, u bën me qëllim të krijimit të shtigjeve të ndryshme nëpër të cilat eci krijimtaria jonë letrare.
Këto përpjekje qenë të domosdoshme. Ishte kjo një rrugë e sakrificës, e cila kalonte nëpër katrahura e sfida, sepse, organet e pushtetit okupues, veprimtarët krijues e kulturorë të këtij regjioni, i dënoi rëndë me akuza nga më të ndryshmet edhe si destabilizues të shtetit, edhe si indoktrinues edhe si përhapës të nacionalizmit dhe seperatizmit. Kështu, veprimtarët krijues nuk mbetën pa dënime nga më të ndryshmet. Nga këta veprimtarë pati të dënuar me gjithsej 123 vjet burg, me skenare vrasjesh, me 22 transferime nga qendrat urbane në periferi, me 15 ndëshkime fizike, me disa dhjetëra maltretime psikike nëpër “biseda informative” në kancelaritë e Organeve për Punë të Brendshme të Policisë Serbe e tjera. /2L ONLINE/