Dëmtimet e shumta në rrugë, përveç tjerash, janë rrezik permanent për aksidente komunikacioni. Dhe, nëse e shikojmë se në çfarë gjendje është rruga që lidh Lagjen “Zabeli i Sahit Agës” me qytetin e Gjilanit, s’do mend se rreziku i tillë është i pranishëm edhe në këtë pjesë.
Të shqetësuar për këtë janë të gjithë ata që e frekuentojnë këtë rrugë, natyrisht në rend të parë banorët e kësaj ane, por nuk e di a janë edhe institucionet përgjegjëse nga të cilët pritet që të ndërmerren masa, qoftë për riparime qoftë për një projekt që parasheh ndërtimin e plotë të kësaj rruge.
Ankesat më të mëdha vijnë nga shoferët pasi ata më së miri e dinë për rrezikun që sjellë rruga e dëmtuar. Ata përveç që ankohen se po u dëmtohen automjetet nga rruga me gropa e dëmtime tjera, në plotë vende, shohin edhe rrezikshmëri për aksidente të mundshme, sidomos kur automjetet përpiqen t’iu shmangen gropave a dëmtimeve tjera.
Ka të tillë që kërkojnë vetiniciativë të qytetarëve të kësaj ane për t’i mbushur vet gropat dhe riparuar dëmtimet, por edhe kërkojnë që të reagojnë institucionet , për ta eliminuar rrezikshmërinë, para se të ndodhin aksidente të rënda.
Situata është urgjente edhe për faktin se zhvillimet në këtë anë e kanë shtuar qarkullueshmërinë ,por edhe për atë se, tani në këtë kohë, me ardhjen e bashkatdhetarëve, padyshim shtohet edhe më shumë trafiku.
Po ashtu në një pjesë të kësaj rruge, nuk nevojitet të bile shumë shi, për të pas një liqen të vogël të pakalueshëm për këmbësor, por edhe sfiduese dhe e rrezikshme edhe për automjete. E, te një pjesë (shtëpia e drurit), uji mund ta ketë gërryer dheun nën asfalt dhe ekziston droja e shoferëve që asfalti mund të çahet dhe sharrojë për tu bërë gropë.
Në mungesë të reagimit të shpejtë të institucioneve mund të pritet reagim qytetarë. /2LONLINE/