Shkruan: Florim Zeqa
Në kohën kur kam filluar të shkruaj, nuk kam pasur çasje në rrjetet sociale, besa as në portale, por kam pasur vetëm bashkëpunim gazeta te shkruara. Pas disa vitesh fillon bashkëpunimi edhe me portalet. Me ndaljen paradoksale të gazetave të shtypura në Kosovë, mënyra e plasimit të shkrimeve mbeti vetëm në formën elektronike.
Përparësitë dhe pasojat e rrjeteve sociale
Në kohën e gazetave të shtypura në Kosovë, për hatrin e disa miqve në mërgatën tonë jam kyqur në rrjetin social Facebook, në mënyrë që edhe ata t’i përcjellin më lehtë dhe më shpejt shkrimet e mia.
Për dallim nga mediat e shkruara, përparësia e rrjeteve sociale është se plasimi i shkrimit bëhet imediat, por edhe pasojat janë të imediate. Me të plasuar shkrimin i jepet mundësia secilit të reagoj në mënyrën e vet, varësisht prej kapaciteteve intelektuale.
Mirëpo, problem i madh mbeten injorantët, militantët dhe mercenarët partiak, të cilët vërsulen me arrogancë me sharje e fyerje nga më të ndryshmet, deri në kërcënime me jetë.
Mjafton t’ua kritikosh subjektin e preferuar partiak ose t’ua lëvdosh oponencën partiake, e të mos flasim kur ua mban në thumb të kritikës liderin partiak apo shtetërorë, militantet çarten, fryhen e ç’fryhen si balonat karnevaleve.
Megjithatë, miqët virtual dhe vizual, lexuesit e gazetave të printuara dhe shtypit online, ishin, janë dhe mbeten motivi i shkrimeve, kurse burimin e inspirimit e kam nga dashuria e pafundme për atdheun dhe qytetarët e vendit tim.
Befasia ne pikat kufitare
Kur një mik i imi nga Kosova më komplimentoj për shkrimet duke më thënë se “Florim me shkrimet e juaja keni depërtuar gjithandej lexuesve në Kosovë dhe trojet etnike kudo që shpërndahet shtypi ditor”, unë më tepër se realitet e kuptova si një batutë, ngase nuk e besoja që kam depertuar aq largë.
Mirëpo, pas disa muajve u përballa me këtë realitet të këndshëm shpirtërorë.
Isha duke udhëtuar me makinë nga Italia për në vendlindje (Kosovë), në momentin e ndalesës nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Morinë, me t’i dhënë Pasaportën zyrtarit kufitarë, ai më urojë mirëseardhjen me një dashamirësi të ngrohtë dhe ju drejtue kolegut të vet, eja shihe kush na ka ardhur. Meqë ai ishte i zënë me një person tjetër nuk i vuri veshin kolegut, mirëpo, kur i permendi emrin tim, është Florim Zeqa, erdhi menjëherë dhe më përshendeti me një simpati të papërshkruar me fjalë.
Me të dëgjuar këto fjalë, nga kurreshtja i pyeta zyrtarët kufitarë: “Nga më njihni të nderuar polic”?
Të dy zyrtarët përnjëheri m’u përgjigjen, jeni analisti ynë i preferuar, rregullisht i lexojmë shkrimet tua. Jeni real dhe i paanshëm, i keni analizat briliante. Vetëm vazhdo e shkruaj, jeni i respektuar nga të gjithë për kontributin tuaj vlerëmadh.
Ishte ky vlerësimi i parë i drejtëpërdrejt nga pjestarët e institucionit më kredibil në vendin tonë.
Mirëpo kjo nuk ishte përvoja e vetme, pothuajse në të gjitha pikat kufitare jam mirëpritur nga zyrtarët kufitar të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Madje në disa raste, pa i marr fare në dorë dokumentat e mia, m’u kanë drejtuar me fjalët: “Mirë se erdhe Florim Zeqa”!
Kur jemi në këtë segment, dëshirojë ta ndajë me ju lexues të dashur edhe një përvojë me një zyrtarë kufitar të shtetit shqiptar (Republikës së Shqipërisë). Në momentin që i dhashë dokumentacionin e kërkuar, polici kufitar më urojë mirëseardhjen dhe as që i kontrolloj fare dokumentat. Polici më urojë rrugë të mbarë dhe më tha, Florim merri dokumentat dhe mos u ndal të këta hajnat e sigurimit, ecë drejtë e për Kosovë, e nëse rastësisht në dalje ta kërkojnë sigurimin e automjetit, të lutem mos i trego kujt që të kam thënë unë.
Me një përshendetje vëllazërore u ndava nga zyrtari kufitar, vazhdova rrugën dhe hyra pa asnjë problem në shtetin e dytë shqiptar-në Republikën e Kosovës.
Të gjithë politikanët e kanë gojën plot ‘bashkim kombëtar’, por asnjërit nuk i shkon mendja për një sigurim të përbashkët të automjeteve me shtetin shqiptar. Përderisa Kosovës nuk i lejohet ‘Polica e Sigurimeve’ ndërkombëtare apo siq e quajmë “Karta Verde” këtu në Itali, këtë mund ta bënte Shqipëria duke e futur Kosovën në kuadrin e shteteve që e mbulon sigurimi i saj dhe anasjelltas, që sigurimi i Kosovës të vlejë edhe në Shqipëri. /2LONLINE/