Përgjatë vitit 2013, në Policinë e Kosovës janë paraqitur mbi 54 mijë raste, prej të cilave 36 mijë kanë qenë vepra penale. Në krahasim me një vit më parë shihet që ka një rritje rreth 20% të rastet dhe rreth 3% të veprat penale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka paraqitur raportin vjetor të punës së PK-së, ku ndër të tjera thuhet se, përgjatë vitit 2013 kanë ndodhur 39 vrasje, përderisa një vit më parë (2012) kishin ndodhur 55.
Ai tha se, ndryshe nga vrasjet që kanë shënuar rënie të ndjeshme, vjedhjet, vjedhjet e rënda dhe grabitjet, kanë shënuar rritje.
Vjedhja ka shënuar rritje nga 8 607 në vitin 2012 në 8 689 në vitin 2013, vjedhja e rëndë ka shënuar ngritje nga 7 093 në vitin 2012 në 7 423 në vitin 2013 dhe grabitja po ashtu ka shënuar rritje nga 448 në vitin 2012 në 493 në vitin 2013. Në nivel vendi, nga drejtoritë Rajonale janë arrestuar 17 mijë e 4 persona, prej të cilëve 8 462 sipas autorizimeve policore dhe 8 542 me urdhëresë.
Maxhuni tha se, sfidat që ka kaluar policia përgjatë vitit 2013 janë, situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, krijimi i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, fillimi i procesit të integrimit të ish-pjesëtarëve të MUP-it, krimi i organizuar, komunikacioni rrugor dhe krimi kibernetik.
Pavarësisht ngritjes së veprave penale, Maxhuni ka thënë se, viti 2013 është një nga vitet më të suksesshme të Policisë së Kosovës. Ai ka deklaruar se, përgjatë gjithë vitit Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm në të gjitha fushat.
Punën e policisë njëvjeçare e ka vlerësuar lartë edhe kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Edhe ministri në fjalimin e tij përballë strukturës udhëheqëse të PK-së nuk e ka lënë pa e përmendur se në vitin 2013 ka rritje të krimit./B.S/