/2L ONLINE/ – Nëse i referohemi statistikave të dhëna nga Qendra për Punë Sociale në Gjilan, raportit për shërbime sociale dhe familjare, ky gjashtëmujor krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, ka shënuar rritje të dhunës në familje, të delikuencës dhe rasteve të sjelljeve asociale të fëmijëve.
Drejtues të Qendrës për Punë Sociale (QPS) kanë thënë se kemi rritje të numrit të regjistruar të rasteve të dhunës në familje, delikuencës dhe të fëmijëve me sjellje asociale në këto gjashtë muaj, të këtij viti, me të cilat raste janë marrë përgjegjësitë nga Qendra për Punë Sociale në Gjilan, shërbimi përkatës.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale (QPS) ka bërë të ditur se dhuna në familje në komunën e Gjilanit ka shënuar rritje në këto gjashtë muaj dhe shërbimet sociale kanë trajtuar 27 raste të viktimave të dhunës në familje, dhe se kjo po menaxhohet mirë nga shërbimet sociale pran Qendrës për Punë Sociale.
Zymberi tha se po ashtu kemi shtim të rasteve të delikuencës dhe se në këtë gjashtëmujor kanë trajtuar 68 raste, sikundër që janë trajtuar nga shërbimet përkatëse edhe 26 raste të fëmijëve me sjellje asociale.
Përndryshe, drejtori Zymberi përmendi edhe statistika tjera kur i referohemi raportit statistikor gjashtëmujor për shërbime sociale dhe familjare, duke përmendur këtu shërbimet e ofruara për: 2 raste të fëmijëve të braktisur, 4 kërkesa për adoptim vendor, 1 martesë e parakohshme, kërkesa për strehim nga 2 të moshuar, 12 këshilla martesore, 316 klientë tjerë të interesuar për shërbime të ndryshme, 1 rast fëmijët e prindërve të penguar në kryerjen e detyrës prindërore, 3 fëmijë pa përkujdesje prindërore , të braktisur më vonë, , 1 fëmijë i përfshirë në punë të rënda, 10 fëmijë me aftësi të kufizuar, 2 fëmijë të keqtrajtuar jashtë familjes, 974 konsulta me palë, 31 vizita institucionale, 87 prezantime në seanca gjyqësore, 40 prezantime në polici dhe 4 raste të vendosjes së fëmijëve jetim në SOS, Prishtinë. /2L ONLINE/