Qentë që shëtisin lirshëm, në grupe, janë bërë një pamje e zakonshme për qytetin e Gjilanit. Ata i sheh kudo në çdo pjesë të pjesë e në çdo skutë. I sheh në semaforë, në shesh, në park, në oborre të shkollave, në oborr të spitalit, i sheh para policisë, para zyrës së kryetarit, në rrugë, në rrugica, madje edhe para derës së shtëpisë.
Nga: Valmira Arifi-Rrustemi
Ky fenomen është tepër shqetësues për shkak të rrezikut që mund të vije për qytetarët, qoftë nga kafshimi, qoftë nga rreziku i sëmundjeve që këta qenë mund të bartin, sepse nuk e besoj që janë të vaksinuar.
Të rrezikuar janë veçanërisht fëmijët, ngase në vendet ku zakonisht ata luajnë, në lagje apo në parqe, qenët i ke aty me shumicë. Pos fëmijëve, hiq më pak të rrezikuar janë edhe të rriturit të cilët shkojnë herët në punë apo të cilët kthehen vonë prej pune; nga prania e qenve në oborr të spitalit rrezikohen edhe punëtorët shëndetësorë, pacientët apo ndihmësit e tyre që dalin për të blerë ilaqe, vizitorët e kush jo.
Madje edhe vetë policia, siç ishte rasti i një videoje të publikuar kur një kope qensh, në orët e vona, në qendër të qytetit i turrej veturave ( civile dhe atyre të policisë).
Mjekët infektologë vazhdimisht na paralajmërojnë për sëmundjet e rrezikshme që vijnë si pasojë e kafshimit të qenve, natyrisht, nëse së pari shpëtojmë gjallë, por prapë kurrfarë aksioni nga institucionet përkatëse. Dëgjojmë për sulme qensh dhe vdekje të fëmijëve si pasojë e këtyre sulmeve gjithandej Kosovës, prapë institucionet rrinë duarkryq.
Kërkojmë nga kryetari i Gjilanit që të veprojë sa më shpejt në lidhje me këtë problem serioz. E dimë që kjo për institucionet nuk është e lehtë, por edhe të qëndrojnë duarkryq është e papranueshme.
A duhet njëherë që dikush ta pësojë e pastaj të veprojmë?
A duhet të vidhet plaka e pastaj ti vihet shuli derës?
Kërkoj nga institucionet kompetente që të ndërmarrin diçka e jo të lejojnë qenët të rrinë “këmbëkryq” ku të duan.