Familjarët e profesorit Universitar Prof. Dr. Sc. Sadri Shkodra kanë dhuruar libra nga biblioteka personale e tij me rreth 300 ekzemplarë për Bibliotekën e Universitetit “ Kadri Zeka’’ në Gjilan, me tekste dhe publikime shkencore nga fusha e matematikës.
Me këtë rast Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka falënderuar familjarët, duke thënë se UKZ është shumë mirënjohës dhe falënderues për dhurimin e këtyre librave dhe pasurimin e bibliotekës. Rektori Kosumi ka thënë se këto libra do të jenë aset i Universitetit, të cilat do të shfrytëzohen nga Stafi Akademik, Administrativ dhe studentët.
Në emër të familjarëve ka folur, Zëvendësministren e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal znj. Magbule Shkodra, njëherësh vajza e profesorit Sadri Shkodra. Znj. Shkodra ka thënë se është kënaqësi që këto libra po i dhurojmë Universitetit “Kadri Zeka”, sepse, edhe pse tani ai nuk gjendet në mesin tonë, është vepra e tij dhe angazhimi i tij intelektual që jetojnë dhe lanë gjurmë të thella në veprimtarinë e tij profesionale, andaj ne jemi të lumtur që sot gjeneratat të tëra marrin njohuri nga këto libra.
Kurse në emër të profesorëve të cilët e kanë njohur profesorin e nderuar Sadri Shkodra dhe që kanë bashkëpunuar me të ka folur Profesori Januz Dervodeli, gjithashtu Dekan i Fakultetit të Edukimit në UKZ. Ai ka thënë se me punën e tij pedagogjike, profesionale e shkencore, Profesori Shkodra hynë në radhën e matematicientëve të shquar, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha territoret shqiptare.
Njëherësh në Bibliotekën e Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ është krijuar këndi i veprave të Profesorit Sadri Shkodra.