Ose Mehmetali Rexhepi nga këndi i tretë
U lind nga ati Muharrem dhe nëna Zejnije, në muajin e të korrave, në Gjilan, më 4 korrik të vitit 1951. Shkollimin fillor e të mesëm, Gjimnazin “Zenel Hajdini”, i kreu në Gjilan, në vitin 1971. Për studime u regjistrua në Fakultetin Filozofik-Degën e Albanologjisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet i ndoqi i rregullt, por pati dhe ndërprerje… Me gjithë vonesat fakultetin e përfundoi me temën e diplomës “Veçoritë ideo-artistike të prozës së Hivzi Sulejmanit”.
Ati i tij, Muharrem Rafuna e kishte përjetuar rëndë, si dhe të gjithë shqiptarët, periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte ndjekur nga shërbimet e fshehta serbe për t`u burgosur ose likuiduar, si vullnetarë për mbrojtjen e kufirit etnik; përderisa në Gjilan ia kishin rrëmbyer në shtëpi, në rrugën e quajtur “Proletarët” vëllanë, Zukën. Gjyshes Halime, pas disa goditjesh me kondak pushke, një grup serbësh të armatosur, ia kishin shkëputur nga duart djalin, përkatësisht vëlla i Atit Muharrem, Zukën. Asnjëherë nuk ishte parë, as ishte ditur për vendndodhjen e zhdukjes të Zukës…
Ati i Mehmetaliut pas fshehjes së gjatë nga duart gjakatare të shërbimeve serbe-jugosllave, rastësisht kishte shpëtuar, për “mungesë faktesh.” Gjatë gjithë jetës, gjyshja Halime, të cilën e kishin cilësuar si një malësore burrëreshë dhe fisnike, nëna e Zukës së zhdukur dhe e djalit tjetër të përndjekur, Muharremit, jetoi zemërplasur.
Me këtë frymë të dhimbjes dhe të urrejtjes ndaj krimit të ripërtërirë serb, u brumos dhe u ushqye kujtesa e Mehmetaliut. E brumosi dhe ushqeu libri i pashkruar i Atit tij… Gjëma vetjake, familjare dhe kombëtare ishin futur thellë në shpirtin e babait; por nuk jepej ngase përpiqej me thonj ta mbante në jetë familjen e tij. Skamja i ndoqi, megjithatë, Muharremi asnjëherë nuk iu përkul jugosllavizmit. Ndonëse i pashkolluar, Ai kishte përfituar nga takimet e “përgjuara” me mendje-ndriturit atdhetarë, si: Kadri Halimi, Rexhep Dajkoci, Metush Krasniqi, Sadik Tafarshiku, Ramiz Cernica, Sabit Haliti, e të tjerë atdhedashës, të cilët në shkëmbimet mes tyre, sadopak ia lehtësonin njëri-tjetrit brengat e çështjes së pushtuar shqiptare.
Mehmetaliu e kishte dëgjuar Atin e tij, të pjekur në frymën e idealistëve, se dhe kur askund nuk dukej dritë e lirisë, i thoshte: “bir vjen dita edhe për ne!”
Më 1968, në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, Mehmetaliu kishte qenë nxënës i drejtimit të Shkencave Shoqërore, i klasës së dytë të paraleles katër. Nxënësit e klasës ku ishte ai, nuk shquheshin për përkushtim atdhedashurie, me ndonjë përjashtim të heshtur. Mirëpo, në klasën tjetër, të dytën e paraleles tre, e tërhoqi frymëmarrja atdhetare e ngërthyer te tre shokët e tij: Fazli Abdullahu, Nijazi Korça dhe Rexhep Mala. Kështu, merr një shtytje tjetër përcaktimi i tij jetësor… Me gjithë që ai përcaktim pati luhatjet e animit mes dy udhësh: udhës së veprimit ilegal dhe kapjes pas vokacionit letrar. Për të ishte vështirë që t`i bashkonte këto dy kahe jetike të përcaktimit të karakterit të tij jetësor.
Duket paradoksale, por krye-tema e jetës së Mehmetaliut, e synimeve të tija ishin pikërisht këto dy përmasa. Asgjë nuk e kishte preokupuar më shumë se sa gjetja e udhës për hyrje në përmasat e tilla të admiruara… Kurrë nuk e kishte brengosur ngritja e një kulmi mbi kokën e tij, me luksin vetjak nën atë kulm.
Përjetimi i Demonstratës së Gjilanit të vitit 1968
Përkatësia e tij mendësisë atdhedashëse, natyrisht aq sa mund t`i kapte niveli i moshës, ia mprehte kureshtjen për ndonjë ngjarje a ndodhi, që përkonte me mendësinë e ndjekur e të ndëshkuar… Tërë sy e vesh, por sytë nuk shihnin të dëshirueshmet e shpirtit e të zemrës, përderisa veshët ushqeheshin me pëshpërima trishtuese, dëshpëruese e, rrallë ndjellë-mira…
Sikur nën dheun ose si rrjedhje lumi nëntokësor, seç i erdhi një kumt i panjohur nga Ati i tij:
– Bir po flitet se do të çohet rinia kah fundi i ksaj vjeshte…
Ai, Ati i tij, ndjesë pastë!… Diçka më shumë nuk dinte, sido qoftë e kishte nuhatur situatën…
Me Rexhën (Malën) ende nuk ishin njohur sa duhej.
Ato ditë një trazim shpirtëror kishte kapluar tërë qenien e tij djaloshare. Nëntori i Pavarësisë i gjysmës së Shqipërisë tek ai përjetohej me ndjeshmëri të përziera… Këtu festohej me pompë 29 Nëntori… Ajo gjysmë Shqipërie ishte e mbyllur dhe e mohuar për gjysmën e etnisë…
Ditën e tubimit e përjetoi me ritme të shpeshtuara të rrahjes së zemrës, por ishte një shpirt i kureshtarit… Ndodhte diçka që nuk e kishte parë në Gjilan… Në Gjilanin e “paqes” nën geto… Doli më herët se rëndomë, ndonëse nuk kishte ndonjë rol të caktuar nga organizatorët. Meqë mesdita ishte ora e tubimit, nuk mund të përqendrohej në orët e mësimit, ngase mendja e shqetësuar i rrinte atje ku do të mblidheshin. Autoritet e shkollës e kuptuan qëllimin e nxënësve, ndaj urdhëruan të mbyllen dyert e hyrjes kryesore prej druri, me shufrën e trashë metalike rreth dy metra e gjysmë të gjatë, e cila i vihej dyerve nga brenda për të mos u hapur. Klasa e Rexhep Malës, Nijazi Korçës, Fazli Abdullahut tashmë ishte zbrazur. Hahej me vetveten që mbeti i ngujuar dhe jashtë vlugut demonstrues… U përvodh me dikë prej nxënësve dhe iu bashkëngjitën turmës. Ishin kryesisht nxënës, të rinj, pothuajse adoleshentë, pos më të pjekurve, që ndiqnin klasën e katërt të gjimnazit, si: Irfan Shaqiri, Ahmet Hoti, Ismajl Shehu…
Mehmetaliu nuk kishte qenë në grupin organizativ, por iu kishte bashkuar parakalimit e brohoritjeve të herë-pas-hershme emocionale nëpër qytet: “Kushtetutë-Universitet!”, “Duam flamurin kombëtar!”, “Rroftë flamuri kombëtar!”, “Duam barazi!”, “Rrnoftë populli shqiptar!”e tjera të ngjashme.
Mes hapësirës së Gjimnazit”Zenel Hajdini” dhe Shkollës Normale”Skënderbeu”, ziente një gjallëri rinore e paparë. Kësaj gjallërie ia shtuan hijeshinë femrat shkollare, veprimtaret: Vahide Hoxha, Minivere Kastrati, Fetije Bajrami, Abidja…
Në Demonstratën e 27 Nëntorit pos Irfan Shaqirit, Fatmir Salihut, Ismajlhaki Shehut, Xhavit Dërmakut, Mehmet Eminit, shquheshin bashkëmoshatarët e tij të klasës tjetër, përkatësisht të paraleles e dyta-tre (II-3): Rexhep Mala,Nijazi Korça, Fazli Abdullahu…
Ndërhyrja e policisë, e një numri të madh policësh, e shkëputi nga Fazli Abdullahu, por prijatarët e përgatitur nuk jepeshin, ndërsa ai, Mehmetaliu mbeti i shkëputur prej tyre. Në demonstratë veçmas këmbëngulëse u shfaqën vashat, si: Vahide Hoxha, Minivere Kastrati, Fetije Bajrami dhe Abidja, mbiemri i së cilës i mungon kujtesës.
Dihej se mësimdhënësit tanë ndodheshin mes dy zjarresh, por pati të atillë që u veshën me dyfytyrësinë e demagogjisë. Zhvillimet e mëvonshme ua çjerrën maskën të tillëve. Madje, arsimtari i deridjeshëm, Naip Hoxha u shndërrua në një instrument të gjallë për jugosllavët, njëri nga ndjekësit e veprimtarëve ilegal e legal, rrugë më rrugë e skutë më skutë.
Atmosfera politike në Gjilan u tendos. Ngjarja e mesditës së 27 Nëntorit të vitit 1968, jehoi shtëpi më shtëpi. Pas pak ditësh u dyndën në Gjilan forca të shtuara policore, me helmeta metalike në kokë dhe armë të zjarrit të ardhur nga Serbia dhe republikat tjera të Federatës së Jugosllavisë.
Pashmangshëm organizatorët u dënuan nga disa javë burgim dhe u përjashtuan prej shkollës.
Demonstrata e 1968-ës riktheu vetëbesimin e popullit në energjinë e tij rinore. Frika dhe tmerri i futur në palcën e shqiptarëve, prej trajtave më të shfrenuara të dhunës e të torturave të policisë së Rankoviqit, si dhe shtypjes e zhvatjes së gjithanshme jugosllave mbi shqiptarët, ngjalli vazhdimësinë e Rilindjes…
Me Rexhep Malën, Nijazi Korçën, Fatmir Salihun dhe Fazli Abdullahun i shpeshtonte takimet, shkëmbente pikëpamje për pozitën e shqiptarëve nën Jugosllavi. Rexhep Mala gjithnjë fliste më shkurt dhe doli të ishte më konkret, më praktik se sa teorik. Mësymjet e tija ishin tej mjedisit të atëhershëm.
Status quo-ja e gjendjes së shqiptarëve filloi të plasaritej që nga 68-ta.
Viti 1968 ishte vit i vlimeve politike në Evropë. Gjithandej demonstrata të studentëve… Pushtimi i Çekosllovakisë, vetë-djegia e Jan Pallahut në qendër të Pragës, si shenj proteste për pushtimin e atdheut tij nga ushtria ruse e Bashkimit Sovjetik… Padyshim këto ngjarje kishin reflektuar deri tek sedra e studentëve shqiptarë, për të cilët liria etnike dhe demokracia ishin gjakime të pa shijuara…
Në njërën nga veprimtaritë kulturore-artistike studentore, e titulluar “Plejada”, që Mehmetaliu e kishte ndjekur si nxënës i gjimnazit, në sallën e madhe të Fakultetit Filozofik viteve të shtatëdhjeta, poeti dhe kantautori Jusuf Gërvalla, me tekst të Mazllum Sanejës, kishte kompozuar një këngë për aktin e veçantë të një protestuesi në Pragë. Me djegie të trupit dhe shuarje të jetës, ishte një akt unikët i Jan Pallahut! Kënga përcillej me tinguj melodikë të dhimbjes e të krenarisë… Ishte një protestë dhe grishje artistike për rininë në zërin dhe drithërimat e tingujve të kitarës me gishtërinjtë magjikë të Jusuf Gërvallës. Kësisoj, përmes Tij, heroit të ardhshëm të Kosovës, djalëria e saj i bënte jehonë aktit të madhërishëm të trinisë: epike-tragjike-heroike. Porosia frymonte mes tingujve dhe zërit, konotacioni mbulonte dhe zbulonte: përjetësimin e mospajtimit me të gjitha trajtat e dhunës e të pushtimit.
Më 1975 një valë arrestimesh e burgosjesh, si një kuçedër mitologjike, u zgjerua anembanë Kosovës, veçmas në Gjilan. Politika jugosllave dhe operativa e saj, Sigurimi Shtetëror, përkatësisht UDB-ja në pranverën e vitit përkatës Mehmetaliun e morën në zyrat e tyre, në Gjilan, duke e detyruar të nxjerrin ndonjë dëshmi përkitazi Rexhepit, Nijaziut, Fazliut, ndonëse Fazliun për hetime e dërguan në Leskoc dhe pastaj në Vrajë.
Rënia e shokëve të tij në burg dhe hetimet e tmerrshme mbi ta, shkaktuan një zbrazësi të theksuar në përkushtimin ndaj studimeve në Universitetin e Prishtinës. Martesa me Lumnijen, gruan e tij të jetës, më 1982, do të ndikojë për një qetësim të përkohshëm.
Në fund-dhjetorin e vitit 1979, në orët e hershme të mëngjesit, policia kishte rrethuar shtëpinë e Mehmetaliut, madje dhe lagjen, duke rrotulluar egërsisht gjithë orenditë e shtëpisë për të gjetur ndonjë “material armiqësor”. Duke e mbajtur në birucën e vetmisë deri në pranverën e vitit 1980; Sigurimi Shtetëror i Gjilanit ndërmori veprime hetimore ndaj tij si individ, duke mos mundur të gjente lidhje të veprimtarisë grupore. Kuptohet metodat dhe mjetet kryesore të hetimit ishin dhuna e torturat. Për habinë e Mehmetaliut, kësaj radhe organet e ndjekjes nuk ngritën aktakuzë ndaj tij. Athua do të pritej shkasi tjetër i radhës?
Procedurat hetimore të shtetit jugosllav në Kosovë ishin në s’përputhje me ligjet e proklamuara. Për gjyqësinë politike jugosllave vlente zbatimi djallëzor i vijës: qëllimi arsyeton mjetet ose qëllimi arsyeton çfarëdo lloj mjeti.
Me Atin e tij nuk fliste në shtëpi se si dhe me çfarë do të ushqeheshin dhe me se do ta siguronin jetën. Pasioni i idesë kombëtare dhe shkëputja prej kthetrave të pushtuesve serbë e sllavë-maqedonas, do t`i bëhej mënyrë e pashmangshme e brengës së përjetshme. Si do të vinte dhe a do të vinte përmbushja e kësaj ideje? Atëbotë, Mehmetaliut i mungonte shikimi paravajtës.
Kthesën e ngjarjeve të Pranverës së Lirisë të Vitit të përflakur 1981, do ta konsideronte si arritje e një investimi kolektiv për ta ngritur çështjen e Kosovës si çështje jetike, si një investim i përgjakshëm, i cili nuk do të kishte kthim në strukturat e shtetit serb.
Pa fshehje prapa modestisë, së cilës të shumtën e herës, censura e tij e brendshme ia lidhte gjuhën për të mos folur, për të mos shfaqur konsiderata të mburrjes, madhështinë dhe trazimin e Pranverës të Vitit 1981, pos tjerash e çmonte edhe si një investim vetjak, sado i pakët qoftë. Shkrimtari francez Alfred De Myse pohonte: “Gota ime është e vogël, por unë pi prej gotës sime.”
Shpërndarja e afisheve dhe kundërvënia në disa shtresime të popullit histerisë së çdoditshme të medieve serbe-jugosllave me etiketa të helmatisura, si “nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”, “dhunuesit shqiptarë”, “luftënxitësit shqiptarë”, “kundër-revolucioni në Kosovë” dhe paragjykime e shpifje të ngjashme, fshihnin skenarët e tyre për likuidimin e çështjes shqiptare në Jugosllavinë Federative të mbizotëruar nga serbët.
Një mëngjesi të hershëm të 22 shtatorit të vitit 1983, forca të shumta policore rrethuan shtëpinë e tij, duke iu shkaktuar frikë familjarëve, gruas dhe lagjes… Tiketa e akuzës që i vihej si barrë për ndjekje penale ishte vendosur: “ Propagandë armiqësore nga neni 133 i KPK…”
Katër muaj të izolimit në birucën e Burgut të Qarkut në Gjilan, i “përkëdhelur” me torturat e Refik Thaçit, Daut Morinës, Sinan Rexhepit, Ramadan Sylës, Tefik Mehmetit, Muharrem Danës… I ënjtur nga “përkëdhelja” e “trimave”, nën dyshemenë e bluar e vizitonin vetëm minj të uritur, atë, një mysafir të përkohshëm, që do t`i vazhdohej ndeja edhe për tre muaj të tjerë dhe, t`i bëhej gjyqi për 18 muaj.
I duhej t`i kryente provimet e sprovës dhe të dilte i gërryer e faqebardhë. Politika zotëruese kategorinë e tij e ngjyroste me epitetin “faqezinj.” Aty, në birucë, përmes pëshpërimës mori kumtin më të rëndë të jetës dhe zbrazi një gurrë të madhe të lotëve për rënien e Rexhës dhe të Nuhës… Dobësia e humbjes njerëzore ishte e pa kompensuar… Dhimbja është njëra nga trajtat e lajthitura të plotësisë së humbjes… I humbjes të diçkaje tronditëse, por i humbjes së pritur. Mirëpo, njëkohësisht i fitores të diçkaje që mbetet model shtytjeje për ripërtëritje… Ripërtëritje energjish në periudha sprovash po aq të rënda, sipas modelit e formulave të guximit, për ta bërë të pamundurën të mundshme, siç e bënë heronjtë.
Ne jemi të destinuar të nxjerrim heronj, sepse na detyrojnë serbët, grekët, rusët. Gjithsesi, jemi të detyruar të ngrehim heronj të mendjes e të penës. Aty ku pushon pushka fillon pena… Urtësia ushqen paqen, paqja penën.
***
Përbuzja dhe ndalesat e të drejtës themelore qytetare, do me thënë, i shpallur “Persona non grata” për shtetin ”e të drejtave të barabarta të kombeve e të kombësive”, Mehmetaliut do t`i kushtojë, si i padiplomuar dhe si i diplomuar, mbi pesëmbëdhjetë vjet papunësi në asnjë lloj veprimtarie publike në KSA të Kosovës! Do të thoshte: të ecte i baraspeshuar nën saçin e një rinie të përcëlluar!
Me gjithë atë, duhej lypur shtigje për të dalë nga “rrethi vicioz” i shtetit të ndjekjes. Mërgimin nuk e pëlqente ndonëse i ishte ofruar një mundësi e tillë.
Zgjodhi disa mënyra të veprimit gjysmë legale, pa i flakur trajtat ilegale dhe individuale.
Në Përlepnicë (Përplepishtë), më 1990, së bashku më letrarin Shefik Shkodra e veprimtarin kulturor Hysen Këqiku, themeloi Klubin Letrar “Rexhep Elmazi.” Nën hundët e okupatorit mëtohej të rigjallërohej fjala artistike shqipe, për t`i dhënë impulse qëndresës e shpresës kombëtare. Veprimtaritë e Klubit Letrar “Rexhep Elmazi” në Gjilan e rrethinë, përmes orëve, tribunave tematike e takimeve letrare-artistike, publikimit të ndonjë reviste të përkohshme, botim libri me grup autorësh; mbajti gjallë frymën e artit kryengritës dhe filozofinë e qëndresës.
Po ashtu, në Gjilan, më 1990, Mehmetaliut i takoi nderi, që me një grup të interesuarish të themelonin Shoqatën Bamirëse, Dega në Gjilan, të cilën e emërtuan “Nëna Terezë.” Ishte Shoqata e parë bamirëse vullnetare në Kosovë, që mori një mision të tillë bamirës, duke ndjekur parimet e bijës sonë famëmadhe, të Nobelistes për Paqe, të shenjtëruarës nga Vatikani Nënës Terezë, përkatësisht Shën Tereza. Përmes veprimtarisë së organizuar të kësaj Shoqate, arriti që për dhjetë vjet t`iu shtrihej dora e bamirësisë shtresës më skamnore, që zgjerohej në përmasën shqetësuese, si pasojë e mbylljes së fabrikave dhe vendeve të punës për shqiptarët, të cilët nuk iu nënshtruan tjetërsimit të ekonomisë së Kosovës nga masat e dhunshme të Serbisë.
Veprimtaria e Shoqatës “Nëna Terezë” me degët dhe nëndegët e saj, u zgjerua dhe u institucionalizua në tërë Kosovën, madje dhe jashtë Kosovës.
Pas rënies së nenit famëkeq 133, që trajtonte “Propagandën armiqësore për prishjen e rendit kushtetues të RSFJ-së”, Mehmetaliut iu mundësua kryerja e detyrës së shenjtë e edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj në frymën e edukatës kombëtare. Rikthehej një e drejtë e mohuar për pesëmbëdhjetë vjet! Kësisoj, i jepet mundësia që nxënësve t`ua kultivonte vlerat njerëzore të pleksura me aspektet kombëtare: të bukurën dhe të madhërishmen e jetës, tragjiken dhe krenarinë e historisë, sy-çelësi kundruall gjumit prej vdekatari të popullit të përgjumur.
Lëvizja gjithë-popullore në Kosovë ende nuk e kishte qartësinë e duhur të kahes për mëvetësi, sepse shpesh ndodhej në udhëkryqe të papërcaktuara… Këtë gjendje amullie e vërejti në protestat e 1989-ës. Një turme prej mijëra vetash, kryesisht të rinj, u mungonte koncepti i kërkesave. Le të nënvizohet këtu, se do të arrinte t`i fuste në funksion të turmës protestuese dymbëdhjetë sosh. Në turmë kishte shumë kërkesa për zgjidhjen e të cilave u drejtoheshin atyre, që zbatonin logjikën e mbajtjes të lidhur për vendimmarrësit jugosllavë?! Autonomia e Kosovës tashmë ishte rrënuar; edhe po të mos rrënohej nuk kishte të ardhme nën një krijesë federative të brishtë dhe brenda një Serbie përbindësh të shqiptarëve.
Lëvizja për pajtimin e gjaqeve ishte grishje frymëzuese për popullin tonë. Përmes kësaj lëvizjeje të nismës rinore, që tërhoqi inteligjencën arsimore dhe fetare, mëtohej të arrihej klima e pajtimit kombëtar.
Në Gjilan dhe tërë Pellgun e Moravës, Mehmetaliu gjeti shprehje që t`i jepte shtysë misionit të urtisë njerëzore, kombëtare dhe qytetëruese.
Në tubimin e mijëra pjesëmarrësish të pajtimit të gjaqeve në Roganë të Kamenicës (Dardanës), kishte nderin t`i jepej fjala e hapjes nga këshilli organizativ i tubimit dhe të shprehte dhimbjen për jetët e humbura dhe krenarinë për faljen e tyre, në emër të lirisë e të idealit kombëtar. Aty kishte shkëlqyer gojëtaria e Don Lush Gjergjit, Hoxhë Idriz Kakrrukut, Mehmet Kurteshit, Tefik Gecit e të tjerë.
Në fillim-vitin shkollor të 1990-ës, policia e shtetit serb nuk lejoi hyrjen në bankat e shkollave nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë. Shkaku dhe arsyet u bënë botërisht të njohura. Kërkohej tumirja e diktatit asimilues të Beogradit mbi arsimin dhe edukimin shqip në Kosovë! Mehmetaliut i takoi roli organizativ i udhëheqjes së protestave për kthimin në objektet tona, për mbrojtjen e legjitimitetit të shkollës shqipe.
Tri ditë radhas, me gjithë ndalesat policore dhe praninë në gjendje gatishmërie të shtuar të policisë, ishte në rolin e organizatorit prijatar, në ballë të protestave të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe qytetarëve, para mijëra sish në hapësirat e shkollave të mesme të Gjilanit, me pankarta të shkruara në katër gjuhë botërore, i thirrej arsyes së verbër serbe… Këtu dëshmohej anakronizmi shtetëror i Serbisë mbi arsimin dhe shkollën shqipe. Njëkohësisht shpërfaqej zotimi për ngadhënjimin e shkollës sonë, sipas plan-programeve më të qytetëruara kombëtare dhe euro-perëndimore.
Mehmetaliu e kishte theksuar në protestë posaçërisht pohimin: se shkolla jonë nuk do të mbyllet, ajo do të hapet në gjirin e popullit, sepse buron prej gjirit të tij! Populli do t`i hap shtëpitë e tija dhe ato do të jenë shkolla për shkollarët e vet.
Periudha e lindjes të subjekteve politike legale
Subjektin politik legal, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Mehmetaliu e ndihmoi për ndërtimin e saj në nëndegën ku jetonte, si dhe në degën e qendrës në Gjilan. Nuk e bindi përshkrimi i vazhdueshëm i gjendjes, komunikatat në funksion të tkurrjes së energjive, stili vend-numërues dhe pritja e pafund e ardhjes a mos ardhjes së Godosë të Samuel Beckett!
Mospajtimi i tij me rrymën pasive dhe trajtat e veprimit burokratik brenda kësaj lëvizjeje, që përfaqësonte subjektin politik të shqiptarëve me shtrirjen më të gjerë në ish Jugosllavi, konsistonte pikërisht në metodën e “rezistencës paqësore” pasive. Meqë ishte ithtar i qëndresës aktive, që përfaqësonte konceptin e filozofisë vepruese të Adem Demaçit, nuk kishte si të mos binte ndesh kësaj politike të flashkët. Koha e dëshmoi më vonë, se pa futjen në veprim të konceptit të tillë veprues, asgjë nuk do të lëvizte nga pika e gjendjes së amullisë.
Shterja e pikëpamjes paqësore për pavarësinë e Kosovës të okupuar nga Serbia, doemos kërkonte qasje tjetër. Në paraqitjet e tija kudo: para nxënësve dhe shtresave të ndryshme të qytetarëve, i dukej e domosdoshme pikëpamja e veprimeve të armatosura kundrejt Serbisë, pushtueses tonë shekullore të pakthyeshme.
Vështruar nga ky kënd-shikim, atëbotë mendonte se lufta guerile në Kosovë ishte e pa alternativë. Sido qoftë konceptimi i luftës çlirimtare tejkaloi parashikimet e tija. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri beteja të denja me ushtrinë dhe paramilitarët serbë. Madje, djemtë dhe vajzat e kësaj ushtrie, për herë të parë, bashkëvepruan me njërën prej Aleancave më të fuqishme të globit, NATO-n!
Mirëpo, çfarë po ndodh? Tendenca e njollosjes së UÇK-së përmes inkriminimit të individëve të saj!… A do të lejojmë që të rrënohet fondamenti i lirisë sonë para syve tanë?!
***
Për jetëshkrimin e Mehmetaliut mund të dëftohet, se shtegu tjetër jetik i ecjes, i ngjitjes të përpjetave dhe tatëpjetave të jetës së tij është bota magjike e librit, letërsia, shkrimi artistik, shkrimet e dijes e të urtisë njerëzore.
Vokacioni prijës për Mehmetali Rexhepin është shkrimi letrar, ai që ia bjerr orët e shumta të ditës e të natës. Mehmetaliu nuk iu përket prodhimtarëve të mëdhenj, sikurse Beqir Musliu, por për aq sa ia ka lejuar vetë-censura, një njerkë prore e rreptë e tij, deri tash, pas ndalesave të ish regjimit, ka nxjerr tre libra artistikë, poezi-prozë dhe dy të tjerë eseistikë e kritikë letrare, tjetri një libër eseistik për publicistikën historike. Ka dhe dorëshkrime të tjera…
Për Mehmetali Rexhepin shkrimi është terapi e përhershme e shpirtit tij. Ajo terapi vazhdon ta mbajë larg mërzisë e dhimbjes, tej marrëzisë, tej përfitimit të pamerituar, tej kotësisë e dogmave të imponuara.
Si duket shtet-bërjen e shtet-ndërtimin, Mehmetali Rexhepi i shihte si një proces mjaftë i vështirë, që kapërcente përmes dobësish të brendshme e të jashtme, qëllimesh të pasinqerta dhe papërgjegjësish… Papjekuria e klasës sonë politike lë shumë për të dëshiruar, përderisa egot e pangopura të marrin rolin e përfaqësimit të interesave të përgjithshme, duke i shndërruar në interesa personale, familjare, grupore, klanore… Politikë-bërja jonë vuan nga sindromë e harresës, se : Uji flenë, hasmi nuk flenë.