Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka pranuar një donacion me libra në gjuhën angleze si dhe mjete shkollore për fëmijë nga Klubi Rotarian Gjilani, i cili kryesohej nga Shpëtim Miftari.
Nënkryetari Ismajli e ka falënderuar Klubin Rotarian Gjilani, duke thënë se ky nuk është donacioni i vetëm i tyre në shërbimit të komuntetit.
“Pas donacioneve me dorëza, maska, dezinfektues, pajisje tjera higjienike dhe pako ushqimore nga kompanitë e ndryshme, donacioni i sotëm nga klubi rotarian Gjilani është risi dhe është nder dhe privilegj për mua që në emër të kryetarit Haziri dhe Komitetit për emergjencat, ta pranoj dhe ju siguroj që nga nesër mjetet shkollore do të shpërndahen të nxënësit, të cilët janë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Ismajli.
Në emër klubit rotarian Gjilani, ka folur Muhamet Halili, i cili ka njoftuar se donacioni i librave në gjuhën angleze është nga Rotary Club Prishtina Newborn, përkatësisht Korab Zhuja, i cili do t’i dorëzohet bibliotekës së qytetit, duke shtuar se donacioni tjetër me mjete shkollore (fletore, vizatime, lapsa, ngjyra…) po bëhet si mbështetje e veçantë në këtë kohë pandemie nga ana e Rotary Klub Gjilani, për shkollarët e vegjël.
“Duke e ditur se mësimi tash po zhvillohet online, me mundësitë tona, ne, Klubi Rotarian Gjilani, kemi vendosur të blejmë mjete shkollore për nxënësit, duke e dhënë kështu një kontirbut të vogël tonin për më të vegjlit në këtë kohë pandemie”, ka thënë Halili.