Naim Shaqiri kryetar i Klubit Rotarian të Gjilanit ka thënë se ky aktivitet i rotarianëve vije pas vullnetit të mirë të treguar nga rotariani Ejup Ibrahimi, e të cilit pastaj iu janë bashkuar edhe rotarianë të tjerë, për të ndarë një shumë të hollash, me të cilat janë blerë pakot ushqimore dhe këtu vlen të theksohet se edhe pronari i “Kosova Tregut”, ku janë blerë gjësendet, ka kontribuar me dy pako.
Shaqiri, ndonëse ka bërë të ditur se në fakt, Rotary Klub nuk është organizatë humanitare, por është një organizëm që tubon njerëz vullnetmirë që janë në shërbim të komunitetit, shtoi se sa herë që të krijohet një mundës e tillë ajo ndërmerr edhe këso aktivitetesh humanitare në ndihmë të tjerëve.
Shaqiri ka bërë me dije se edhe kohë më parë rotarianët kishin ndërmarrë një aktivitet që kishte të bënte me një piknik njëditor me fëmijët me nevoja të veçanta, e që ka gjeneruar interesimin e qytetarëve, në këtë rast edhe të një rotariani, për të bërë prapë diçka të dobishme për këtë kategori.
Dhe me që ishim në muajin e Ramazanit dhe në prag të festës së Bajramit, është menduar begatimi i sofrave edhe i familjeve që kanë fëmijë me nevoja të veçanta e që janë me gjendje të rëndë sociale.
Ndërsa përfaqësuesit e Handikos-it të cilët edhe kanë bërë përzgjedhjen, përkatësisht përpilimin e listës, së familjeve që kanë përfituar nga kjo ndihmë e rotarianëve, janë shprehur të kënaqur dhe falënderues që ky organizëm ka zgjedh të ndihmojë Handikosin, përkatësisht anëtarësinë e saj, kur dihet se nevojat janë të mëdha te kjo kategori.
Remzi Kqiku menaxher i Handikos-it, ka thënë se janë përkujdesur që të zgjedhën ato familje të cilët janë me gjendje më të rëndë sociale dhe që nuk kanë përfituar në këso forma nga vullnetmirë të tjerë, natyrisht duke përfillur kërkesën e donatorit që të jenë familje që kanë fëmijë me nevoja të veçanta.
Kqiku ka bërë me dije se mbi 90 për qind e këtyre familjeve po thuajse janë raste sociale dhe po ashtu këto ndihma kanë qenë më se të mirëseardhura kur në këso festash, pritjet për të marrë ndihma gjithmonë janë, ndërsa sivjet nuk ka pas ndonjë që ka ofruar ndihmë, andaj kjo e rotarianëve ka qenë një befasi për të mirë.
Pakot e shpërndara përmbajnë gjëra elementare ushqimore, si miell, vaj, sheqer, oriz, mish, pije e gjëra të tjera të nevojshme me të cilat mendohet që të begatohet sadopak edhe sofra e këtyre familjeve për ditën festive të Bajramit.
Përndryshe, rotarianët gjilanas më parë kanë ndihmuar edhe me projekti ne hapjes së puseve për tu furnizuar me ujë të pijes dy shkolla të Gjilanit, në Ponesh dhe në Nasalë, kanë organizuar po ashtu një pikni njëditor me fëmijë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe tani edhe në këtë formë kanë ndihmuar po ashtu këtë kategori duke i ndihmuar me pako ushqimore që edhe sofrat e tyre të jenë më të begatë, për ditë të Bajramit. /2lonline/