/2L ONLINE/ – Për shkak të bashkëpunimit të mirë, mbështetjes dhe pjesëmarrjes së përbashkët në projekte të Rotarakt Klubit “Anamorava”, në dobi të komunitetit, me theks të veçantë në projektin e saj kur janë ndihmuar 55 familje skamnore me pako ushqimore, Klubi Rotarian Gjilani ka nderuar me mirënjohje të veçantë Policinë e Kosovës, Drejtorinë Rajonale-Gjilan, të cilën mirënjohje ua ka dhënë Rotarakt Klubi “Anamorava”, përgjatë një vizite bërë në Komandën e Policisë Rajonale.
Të rinjtë që janë pjesë e këtij Klubi, por të shoqëruar edhe nga rotarianët e Klubit RC “Gjilani”, (sposorues i RCT “Anamorava”), kanë shfrytëzuar sot ditën e veçantë që ka Policia e Kosovës, shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit, për ta vizituar Policinë e Kosovës në Gjilan, për t’u njohur me punën që bëhet në dhe nga ky institucion si dhe për t’ia dorëzuar mirënjohjen në fjalë.
Përndryshe, sot në shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, për nderë të kësaj dite, stacionet e Policisë, kudo, i kishin hapur dyert për qytetarë që dëshirojnë ta vizitojnë dhe që të njoftohen më për së afërmi me punën dhe veprimtarin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Kështu një grup i të rinjve nga RTC “Anamorava” bashkë edhe me rotarianë të RC “Gjilani”, kanë vizituar Komandën në Gjilan ku fillimisht janë pritur nga nënkolonel Shaban Azizi, zëvendës drejtor rajonal i PK-sê, i cili e ka vlerësuar lartë këtë gjest të të rinjve për të nderuar policinë në këtë ditë si dhe i ka njoftuar mysafirët për atë se si funksionon Policia e Kosovës në këtë rajon, duke përfshirë këtu organizimin, strukturën por edhe punët e përditshme me të cilat merret policia. Ai ka kërkuar nga të rinjtë të bëhen shembull edhe për të tjerë, ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin me policinë për të mirën e përgjithshme.
Azizi ka thënë se në Rajonin e Gjilanit siguria është e mirë dhe këtë ia atribuoi edhe punës së mirë të policisë por edhe vetëdijes qytetare.
Edhe nënkoloneli Njazi Kolgeci, shef i sektorit të operativës rajonale, ka qenë konkret në atë se çfarë detyra kryen Polica e Kosovës. Edhe ai ka potencuar sa e rëndësishme është bashkëpunim i qytetarëve me Policinë.
Kolgeci bashkë edhe me toger Naim Rexhepi, përgjegjës në Operativên Rajonale, u kanë shpjeguar të rinjve si funksionon operativa duke i njoftuar me punën e qendrës aty ku bëhen thirrjet e qytetarëve që raportojnë për çështje të ndryshme. Ata kanë treguar gatishmërinë e tyre për të qenë përherë pran qytetarëve që kanë nevojë për Policinë dhe i kanë inkurajuar ata që të bashkëpunojnë me policinë.
Më pastaj, të rinjve rotaraktorë dhe rotarianë, u ka folur për punën e njësisë së trafikut edhe kapiten Ismail Fejzullahu komandant i Trafikut Rajonal, i cili ka vlerësuar punën që bëhet aty. Ai ka thënë se rajoni i Gjilanit qëndron mirë me statistika duke bërë që të kemi një siguri të mirë në trafik, krahasuar me rajone tjera, por se tha se po punojnë në vazhdimësi që të ketë rezultate edhe më të mira.
Edhe kapiteni Maliq Hajdini, përgjegjës në zyrën për Planifikim dhe Zhvillim të PK-së, ka folur për angazhimet policore në domenin e tij, sikundër edhe Major Remzi Azemi komandant i stacionit policor në Gjilan, që shpalosi para të rinjve punën e policisë, angazhimet sipas ligjit dhe u kërkoi të rinjve që policinë ta shohin përherë si partnerë, ndërsa shtoi se gëzon fakti që policia vlerësohet si institucioni më kredibil në vend nga ana e qytetarëve.
Të rinjtë rotaraktorë iu gëzuan edhe takimit me kolonel Elmina Mahmuti, drejtor rajonal i PK-së, për Rajonin e Gjilanit, e cila ishte kthyer në ndërkohë nga Prishtina, ku kishte qenë në ceremoninë kryesore, por që solli lajme të mira për PK-në e Rajonit pasi tha se aty pesë policë të kësaj ane u nderuan me medalje dhe mirënjohje për punën e guximshme të tyre dhe kjo do të shihet si motiv shtesë për të vazhduar me punë të mira.
Përndryshe, me që pjesa më e madhe të rinjve ishin femra, komandantja Mahmuti u foli edhe për rëndësinë që ka, fakti që femra ta bartë uniformën policore sepse ajo di dhe mundet, ka hapësirë dhe përkrahje dhe shembull më i mirë është edhe vet ajo, që drejton një Rajon.
Përndryshe, ishte toger Ismet Hashani, zëdhënës i PK-së, nga Drejtoria Rajonale e Gjilanit i cili gjatë gjithë kohës orientojë të rinjtë rotaraktorët përbrenda stacionit që ata të jenë sa më më afër dhe nga njerëz sa më kompetentë të marrin informacionet e duhura për punën policore.
Përndryshe, Manushaqe Latifi, kryetare e RTC “Anamorava”, tha se qëllim ii kësaj vizite ishte ta nderojnë uniformën policore në këtë ditë të shënuar që kanë Policia e Kosovës, por ta nderojnë konkret edhe Rajonin e Gjilanit, sepse edhe në aktivitetet rotariane që i ka bërë RTC “Anamorava”, shpeshherë ka pas partnerë Policinë, apo është ndihmuar nga ajo, e rast konkret ka përmendur projektin e të rinjve rotaraktorë të ndihmës për 55 familje skamnore, me gjëra ushqimore, ku policia ka ndihmuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve, si turneu humanitar në futboll, pastaj ka ndihmuar drejtpërdrejtë në shpërndarje të ndihmave, por disa pjesëtarë policor kanë kontribuar edhe me të holla.
Fatos Qerimi, kreu i Klubit Rotarian Gjilani ka vlerësuar këtë aktivitet të të rinjve rotaraktorë duke thënë se ata do ta kenë mbështetjen përherë të rotarianëve në punë të mira, ndërsa pikërisht për atë që Policia e Kosovës, ka qenë përkrahës i të rinjve rotaraktorë në projekte të tyre, RC Gjilani ka marr vendim që të nderohet me mirënjohje, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, por që për të respektuar të rinjtë ka vendos që mirënjohjen në fjalë t’ia japin vet të rinjtë rotaraktorë. /2L ONLINE/