/2L ONLINE/ Komuna e Gjilanit me participim në bashkëpunim me Klubin Rotary Prishtina International dhe Klubin Rotary Gjilani, ka nisur sot realizimin e projektit të kanalizimit të shkollës së fshatit Cërrnicë, e cila prej vitesh ujërat e zeza i kishte hedhur në një gropë skeptike.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se në kuadër të memorandumit që kemi sot kemi nisur projektin e kanalizimit me participim 50% me 50%, së bashku me Klubin Rotary Prishtina International dhe Klubin Rotary Gjilani.
“Falë bashkëpunimit shumë të mirë që e kemi me Klubin Rotary Prishtina International dhe Klubin Rotary Gjilani, ne sot po nisim realizimin e projektit të kanalizimit të shkollës në këtë fshat, me një gjatësi prej 250 metra dhe një kosto prej pesë mijë euro. Ky nuk është projekti i parë dhe as i fundit. Kemi bashkëpunuar më parë në projekte të ndryshme dhe besojmë shumë shpejt me nis edhe me projekte të tjera kryesisht nëpër shkolla dhe komunitet”, tha nënkryetari Kadriu, duke siguruar se Komuna e Gjilanit është mbështetëse e fuqishme në të gjitha fushat.
Ndërsa nga ana e tij, Sylë Alaj, nga Klubi Rotary Prishtina International, njëherit udhëheqës i projektit për ujë, kanalizim dhe higjienë, ka thënë se projekti i kanalizimit është i pari i kësaj natyre në këtë shkollë dhe projekte të ngjashme do të ketë në Gjilan, ku përfitues janë komuniteti.
“Kemi nisur me projektin e kanalizimit në këtë shkollë me mbi 400 nxënës dhe është projekti i parë i kësaj natyre, që ne si klub po e mbështesim dhe kështu edhe më tutje do të vazhdojmë. Mbështetja jonë është kryesisht për shkollat, çerdhet, ambulantat dhe projekteve në komunitet”, ka thënë ai duke dhënë lajme të mira për këtë regjion, sikur që ka spikatur edhe bashkëpunimin e veçantë me Komunën e Gjilanit.
Edhe Muhamet Halili nga Klubi Rotary Gjilani, ka thënë se ky projekt po u hapë rrugë edhe projekteve të tjera dhe në kuadër të kësaj shumë shpejt do të nis edhe një projekt tjetër në një shkollë tjetër të Gjilanit, që përfitues janë përsëri nxënësit. Halili ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe Rotary Klubin Prishtina Internacional ër kooperim dhe gatishmëri që të jenë mbështetës të jetësimit të këtij projekti dhe projekteve të tjera të përbashkëta, që përfitues janë më së shumti nxënësit. /2L ONLINE/