Fundin e këtij viti rotaraktorët e Rotarakt Klubit “Anamorava” në Gjilan, e kanë përmbyll me një aktivitet human , me shpërndarjen e dhuratave për festën e Vitit të Ri, për fëmijët e familjeve në nevojë në rajonin e Karadakut
Ata përveç që kanë shpërndarë dhurata për fëmijët e këtyre familjeve në Zhegër dhe fshatrat tjerë përreth, ka gëzuar edhe fëmijë të tjerë që kanë takuar përgjatë këtij aktiviteti, ndërkohë që edhe në Gjilan e kanë vazhduar këtë aktivitet duke shpërndarë dhurata për Viti ne Ri edhe për fëmijët e komunitetit romë.
Rotaraktorja, Manushaqe Latifi, përgjegjëse e këtij projekti ka bërë me dije se projekti “Dhurata për fëmijë” i projektuar dhe realizuar nga Rotaract Club “Anamorava” kishte për qëllim të i gëzojë fëmijët, në këtë fundvit, duke iu dhuruar atyre dhurata.
“Që fëmijët të gëzohen edhe më shumë me ne Rotaraktorët ishte edhe Babadimri Rotarian (Fatos Qerimi), ku bashkë me dhuratat e grumbulluara, u nisëm drejt Zhegrës aty ku do ti takonim fëmijët që kemi përzgjedhur, e ku jemi pritur nga Shemsedin Elezi, Kryetar i Këshillit të Zhegrës që na ndihmoi në gjetjen e adresave të familjeve që ata ndihmojnë çdo muaj me pako ushqimore, që ne në ato familje skamnore, t’i shpërndajmë edhe këto dhurata, për ata fëmijë në ato familje”, ka thënë Latifi.
Ajo tha se një pjesë e dhuratave iu janë dorëzuar fëmijëve pas vizitës së atyre familjeve, por me që ishin adresa të ndryshme dhe edhe ashtu Iniciativa Qytetare e Zhegrës, u ndihmon atyre familjeve me gjëra ushqimore, për një pjesë, ua kemi dorëzuar dhuratat kësaj iniciative që ato pastaj t’i dërgojnë bashkë me pakot e tyre ushqimore.
Rotaraktorja Latifi ka bërë me dije se ishin grumbulluar 80 pako dhurata, dhe me që IQZH-ja ndihmon 20 familje nga të cilat janë 57 fëmijë, po aq dhurata janë ndarë për ata fëmijë, ndërkohë që Babadimri rotarian ka gëzuar me dhurata edhe fëmijët e rastit që janë takuar dhe u janë gëzuar faktit që po e shohin Babadimrin.
Ndërsa, 14 dhuratat e fundit u shpërndanë në Gjilan, fëmijëve romë të cilat po ashtu jetojnë në kushte të rënda ekonomike. “Kështu dalëngadalë shpërndamë 80 dhuratat të cilat i grumbulluam falë kontribuuesve të cilët i falënderojmë përzemërsisht”, ka thënë Latifi.
Ajo ka bërë të ditur se kontribuues në sigurimin e këtyre dhuratave janë vet rotaraktorët e klubit rotaraktorë “Anamorava”, si Ylberza Fazliu, Ardrit Sylejmani, Fatlum Agushi, Erza Demi, Indira Syla, Sabri Rushiti, Manushaqe Latifi, Elduana Surdulli dhe miqtë e rotaraktorëve Reshid Xhakaj dhe Valentina Hajdari.
U ndihmuan edhe nga Restaurant Berlin, dhe RC Gjilan, Babadimri Rotarian-Fatos Qerimi, që po ashtu siguruan një sasi të dhuratave, për çka klubi dhe rotaraktorët iu janë mirënjohës.
Pra, sot në këtë fundvit, në prag të Vitit të Ri – 2018, u siguruan dhe u shpërndanë gjithsej 80 dhurata, 48 të siguruara nga Rotaract Anamorava, 10 nga RC Gjilan, 22 nga donacioni i Restaurant Berlin.
Ndërsa, u ndihmuan 57 fëmijë të familjeve skamnore (lista e familjeve që ndihmohen nga IQZH), 9 fëmijë që u takuan rastësisht përgjatë realizimit të aktivitetit, dhe 14 fëmijë rom të Gjilanit.