(2LONLINE) – Organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e komunës së Vitisë, është promovuar sot romani “Jeniçeri i fundit” i shkrimtarit, publicistit dhe historianit Jusuf Buxhovi, ku ishin të pranishëm pos strukturave udhëheqëse komunale, edhe krijues dhe personalitete të artit të shkruar, gazetar etj.
Këtë promovim e ka përshëndetur edhe kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i cili ndër tjerash u shpreh se aktivitetet e tilla le të jenë një porosi për gjeneratat e ardhshme se rruga e librit përveç që të qon në rrugën e dijes dhe intelektualitetit personal, ajo nëse shpërndahet me të tjerët ndikon edhe në avancimin e shtet ndërtimit më të fuqishëm.
Me këtë rast ai i dhuroi një Mirënjohje z Buxhovi. Ndërsa drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Kaltrina Sylejmani, u shpreh se promovimi i librit “Jeniçeri i fundit” ka nderuar të gjithë ata që ja dinë vlerën shkrimeve dhe e vlerësojnë artin e fjalës.
Recensenti i këtij libri Ramadan Musliu foli për vlerat, përmbajtjen dhe aspektet artistike të romanit, i cili ndër të tjerash tha se vepra Jeniçeri i fundit merret me relievizimin tematik të historisë e cila shkon përtej masës tematizuese . “Kur e them këtë, kam parasysh pothuajse në tërësi veprën e tij deri te romani i fundit , si dhe ai me temë aktuale të luftës së fundit.
Një ndër vlerat e romanit Jeniçeri i fundit pa dyshim është edhe ndërtimi i atij rrëfimi që pa tabu ti thotë problemet”, tha Musliu.
Ndërsa duke folur para të pranishmëve, autori i romanit Jeniçeri i fundit, Jusuf Buxhovi ka thënë se shkrimtari nuk mund të jetë jashtë kontestit shoqëror e politik, andaj edhe Jeniçerin si personazh që e paraqet në shekullin e 19-të duke theksuar se ekziston dy llojje të Jeniçerëve, që i kontribuon të mirës dhe së keqes.
“Jam i brengosur për gjendjen morale dhe intelektuale të shoqërisë sonë. Për militantizmin e ndërgjegjes ku jemi dëshmitarë të vlerave të luftës që është diçka e shenjtë e që po keqpërdoret nga njerëz të caktuar që kanë vetëdije militante e që dëshirojnë që vlerat fundamentale ti kthejnë në kapital të vetin. Si shoqëri, si intelektual, neve na bie barra ti themi stop këtyre gjerave siç i kemi thënë dikur regjimit të Millosheviqit. Kjo nuk është vetëm kuraja qytetare, kuraja intelektuale, por është kuraja njerëzore”, ka thënë Buxhovi.
Ai më tej ka theksuar se pa këtë segment do të mbesim pa vetëdije vazal dhe Jeniçer të së keqes. /2lonline/