Riza Abdyli (PDK): Sa i përket koalicionit, rri rehat Kryetar!

Riza Abdyli (PDK): Sa i përket koalicionit, rri rehat Kryetar!

Deklarata e kreut të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit që kanë të bëjnë me koalicione ose formën dhe ndërtimin e qeverisjes lokale në Gjilan, kanë sjelll edhe reagimet e para.

Shih paraprakisht shkrimet:
Haziri ka opsionin e tij për të qeverisë me Gjilanin edhe pa koalicione
Luta: Me pozitën e nënkryetarit nuk do të ketë kompromise

Kështu, Riza Abdyli, Shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Gjilan ka thënë se Lutfi Hazirit nuk do t’i bëhet asnjë trysni rreth koalicionit. Kryetari i komunës ka obligim ligjor e kushtetues që në afat sa më të shkurtër ta formojë qeverisjen komunale.

Avdyli ka thënë se Lutfi Haziri do të duhej ta funksionalizonte qeverinë komunale kohë me parë, por jo t’ia vazhdojë mandatin disa drejtorëve që janë me akuza të ngritura, por të qeveriset, siç ka thënë ai me “duar të pastra”.

“Ndoshta ka trysni ose ka pasur trysni nga këta persona, por jo nga partitë politike. Sjellim në kujtesë që po ky kryetar, në vitin 2015, me një vendim të nxjerrë i suspendoi 28 punëtorë të komunës, pas akuzave të ngritura kundër tyre. Tash, vjen domosdo krahasimi. Nëse ata u suspenduan pasi ndaj tyre u ngritën akuza, pse sot nuk vepron me të njëjtin standard ndaj drejtorëve të tij të cilët veç janë në procedura gjyqësore, me akuza edhe më të forta”, tha Abdyli i PDK-së.

Ai shtoi se presioni i tyre në drejtim të Hazirit, do të jetë tek mbajtja e premtimeve dhe te qeverisja me duar të pastra e jo te koalicioni.

“Pritjet tona janë që kryetari të japë një sqarim se për çfarë arsye këta zyrtarë të qeverisjes së tij, me probleme me ligjin, po vazhdojnë të mbajnë postet në qeverisjen komunale. Sa i përket frikës nga trysnitë, për atë që i takon PDK-së, e sigurojmë që nuk do të ketë trysni për koalicionin dhe se prezenca jonë në kuvendin komunal do të jetë konstruktive”, ka thënë tutje Abdyli.

Ai tha se kryetari i komunës duhet të frikësohet vetëm nga gabimet dhe shkeljet ligjore, nga përdorimi i standardeve të dyfishta ndaj zyrtarëve komunalë, nga krahasimi që PDK do t’i bëjë në vazhdimësi, nga mbikëqyrja e PDK-së për qeverisjen e tij, nga reagimi i PDK-së për shkeljet dhe kërkimi i llogaridhënies në çdo rast.

“Sa i përket koalicionit, rri rehat, Kryetar”, ka përkundur reagimin, Riza Abdyli, Shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Gjilan.

KOMENTE