Asociacioni Komunave të Kosovës (AKK) në bashkëpunim me Programin Shërbime të Qëndrueshme Komunale (SMS) – GIZ, zhvilloi takimin e përbashkët të grupit punues, të përbërë nga Drejtorët Komunal të Shërbimeve Publike dhe Zyrtarët Komunal për Menaxhim të Mbeturinave (ZKMM), lidhur me procesin e finalizimit te rishikimit te planeve komunale per menaxhimin e mbeturinave.
Menaxhimi i mbeturinave është një nga sfidat më të mëdha aktuale, Komunat si organe përgjegjëse të politikave në fushën e menaxhimit të mbeturinave, pritet të finalizojnë planet e tyre për një menaxhim të mbeturinave më të mirë, efikas dhe sistem të qëndrueshëm dhe modern.
Ky plan pritet të jetë udhërrëfyes kryesor për vitet e ardhshme në modernizimin e trajtimit të mbeturinave, në ofrimin e shërbimeve të duhura për qytetarët, zvogëlimin e sasisë së mbeturinave dhe riciklimin e mbeturinave.
Plani për menaxhimin e mbeturinave synon ti adresojë të gjitha këto çështje, të marrë masa, e të arrijë rezultate më të mira në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, zhvillimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e tij të mëtejshme.
Objektivi i punëtorisë ishte të informoj dhe shërbej si një mundësi për procesin e rishikimit të planeve komunale për menaxhimin e mbeturinave, me fokus të veçantë në përcaktimin e objektivave dhe planit të veprimit, të cilat hartohen në pajtueshmëri me Strategjinë Nacionale për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.
Disa nga sfidat e paraqitura gjatë procesi të rishikimit të planeve komunale për menaxhimin e mbeturinave mbetet: parandalimi dhe reduktimi i mbeturinave; ripërdorimi dhe riciklimi i mbeturinave; qendrat për grumbullimin dhe riciklimin e mbeturinave; menaxhimi i kategorive tjera të mbeturinave; vlerësimi nevojave për investime kapitale dhe riorganizimi i shërbimit; dhe menaxhimi financiar i mbeturinave.
Ky aktivitet ndërlidhet me vazhdimin e bashkëpunimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës së bashku me GIZ-in, në proceset e planifikimit nga Komunat në fushën e menaxhimit të mbeturinave, përmirësimit të gjendjes së mjedisit në përgjithësi dhe krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbeturinave ne veçanti.
Përmes këtij bashkëpunimi tentohet vazhdimi në ndërmarrjen e iniciativave të reja në fushën e menaxhimit të mbeturinave, eliminimi i deponive ilegale, ofrimin e shërbimeve cilësore, shtrirjen e shërbimeve komunale, në fokus të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në Komuna. /2LONLINE/