“Në këtë fundjavë me diell, kur të tjerët pushojnë, Rinia e PDK-së (RDK) në Gjilan, në krye me, Qëndrim Qerimin, shenjëzuan një vendkalim këmbësorësh, duke filluar kështu nismën e radhës për t’i rikujtuar dikasteret përgjegjëse se qyteti ka nevojë për vëmendje e investime”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Sipas të rinjve të PDK-së, ndonëse të tilla mini-projekte nuk janë të kushtueshme për nga vlera, do të duhej të kishte të paktën vullnet, dëshirë e gatishmëri nga ana e qeverisjes aktuale. Këtu bëhet fjalë për standarde minimale, kruciale, sepse pas kaq shumë kohe, ne është dashur të flisnim për standarde të tjera sinjalizuese siç mund të jenë kushtet e veçanta rrugore për persona në nevojë.
Kreu i Rinisë Demokratike të Gjilanit, Qëndrim Qerimi ka bërë medije se zebrat u rregulluan tek vendkalimi te Universiteti ‘Kadri Zeka’, zonë kjo e frekuentuar e qytetit, transmeton Portali 2LONLINE.
Sipas tij, për dy vite qeverisje, qeverisja komunale e Vetëvendosjes në Gjilan nuk është në gjendje të bëjë as “zebrat” e bardha si vendkalime për këmbësorë, e lëre më projekte tjera madhore për qytetin.
“Së bashku me Lorikun, Donardin dhe Arditin anëtarë të RDK-së, shprehëm pakënaqësinë tonë lidhur me qeverisjen komunale, ku me anë te këtij aksioni simbolik i ri-shenjëzuam zebrat në një pjesë të qytetit”, thotë Qerimi.
Ai shton se që nga marrja e mandatit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni në asnjë pjesë të qytetit e as në fshatra nuk ka mundur të realizojë as punimet më të thjeshta siç janë zebrat si vendkalim i këmbësorëve.
Nga mungesa e shenjëzimit të vendkalimeve rreziku është i madh, sidomos për nxënësit afër shkollave.
I pari i të rinjve të PDK-së në Gjilan, tregon që të tilla nisma do të ketë në vazhdimësi në të mirë të Komunës e banorëve të saj.
“Plotë herë mjaftojnë idetë, vullneti e përkushtimi, e kur bëhen bashkë edhe me përvojën e dijen atëherë PDK-ja është dhe mbetet zgjidhja më e mirë për adresim e realizim të nevojave e projekteve”, ka thënë Qëndrim Qerimi. /2LONLINE/