Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (RDK), në Gjilan, Qëndrim Qerimi, së bashku me kryesinë e RDK-së zhvilluan sot aktivitetin e radhës tek biblioteka e qytetit, me qëllim sensibilizimin e institucioneve gjegjëse, për krijimin e kushteve të favorshme studimi për studentët, e në veçanti atyre që studiojnë brenda lëmive të teknologjisë.
Sipas Qerimit, pajisjet kompjuterike, janë tejet të rëndësishme për të zhvilluar punën praktike krahas mësimeve teorike. Ashtu siç është potencuar në pankartat e vendosura, mbi 300 studentë që tashmë zhvillojnë studimet në këtë lëmi, kanë mungesë të pajisjeve të teknologjisë informative.
“Duke e ditur gjendjen e rënduar ekonomike të shumë familjeve, konsiderojmë që mungesa e pajisjeve teknologjike, pra mjetit themelor për punë të këtyre studentëve do të ndikojë në performancën akademike të tyre e gjithashtu edhe me zbehjen e vullnetin për të studiuar”, ka thënë ai.
Qerimi ka thënë se një aksion i tillë simbolik është tregues që të rinjtë PDK-së së Gjilanit, (RDK), janë zëri i të gjithëve. Janë aty edhe kur ka lëvdata e punë të mira, edhe ku ka nevojë për rekomandime, kritika e përfaqësim. /2LONLINE/