Libri me teste – ndihmesë për nxënës
Mitat Kadri Maliqi, (2014), libri “Kimia – matura shtetërore, teori, ushtrime dhe teste”, shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan
(2LONLINE) – Ribotohet libri “Kimia – matura shtetërore, teori, ushtrime dhe teste (Kimi e përgjithshme, inorganike dhe organike”, i autorit Mitat Kadri Maliqi, profesor i lëndës së kimisë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan. Libri ishte botuar vitin e shkuar (2013), por tirazhi prej 500 kopje nuk ishte i mjaftueshëm për interesimin e madh të maturantëve dhe studentëve të mjekësisë, prandaj kërkesat e shumta për librin e detyruan professor Mitat Maliqin që të ribotonte librin në 500 kopje të reja.
Libri trajton tematika konkrete me fotografi dhe paraqitje skematike, duke bërë më të afërt mësimet teorike. Libri ka tre kapituj dhe disa nënkapituj dhe probleme që trajtohen në mënyrë analitike, duke zbatuar me saktësi metodologjinë e hartimit, të zbërthimit dhe nxjerrjes së përfundimeve me qartësi, saktësi dhe vërtetësi të plotë, të mbështetura mbi argumente shpjeguese dhe konkretizuese.
Struktura e libirit përmbajtësisht ndërtohet mbi kapitujt bazë me teori, ushtrime dhe teste me përgjigje të sakta: 1. Kimia e përgjithshme; 2. Kimia inorganike; 3. Kimia organike, ndërsa testet me shumë kërkesa (pyetj) dhe alternativa për gjetur përgjigjen e saktë janë pjesa kryesore e librit dhe plotëson kërkesat e maturantëve dhe studentëve për të mësuar ate që përbën esencën e objektit studimor dhe hulumtues në lëndën e kimisë.
Autori thotë se libri është hartuar në bazë të planprogramit mësimor të lëndës së kimisë për shkollat e mesme, dhe kryesisht u dedikohet nxënësve të shkollave të mesme – maturantëve, sidomos, të cilët duan të përgatiten për testin e Maturës Shtetërore dhe që synojnë të vazhdojnë studimet në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Autori Maliqi ka përvijuar në libër edhe pyetjet, të cilat i kanë pasur nxënësit në provimet pranuese vitet e mëparshme në fakultetet e lartcekura.
Mitat Maliqi
Ai ka shtuar se gjatë hartimit të pyetjeve të testeve ka futur pyetje nga nivele të ndryshme, duke ndjekur përdorimin e Taksonomisë së Blumit, përfshirë: njohjen, të kuptuarit, zbatimin, analizën, sintezën dhe vlerësimin. Kërkesat në pyetjet e testeve janë me variante të shumëfishta, dhe zakonisht vetëm njëra prej tyre është e saktë, dhe janë të vlerësuara me pikë 1, 2, etj. Me punë sistematike dhe përkushtuese të nxënësve, me analizë të kujdesshme dhe këmbëngulëse të problemeve të shtruara, suksesi do të jetë i arritshëm.
Sipas Maliqit, në hartimin e këtij teksti përmbajtjesh, temash, testesh me shumë pyetje dhe përgjigje, i ka ndihmuar edhe puna në MASHT në cilësinë e ekspertit për përpilimin e pyetjeve për Testin e Maturës për klasat XII dhe XIII (për gjimnaze dhe shkolla profesionale), si dhe Testi i arritshmërisë për klasat IX. Ndërsa, mësimdhënia disavjeçare si profesor i kimisë dhe kërkesat e nxënësve për t’u dalë në ndihmë e kanë kompletuar dhe konkretizuar tematikën e librit, duke gërshetuar dijen,zotërimin e materjes dhe përvojën në lëndën e kimisë.
Sigurisht që ky libër, të cilin autori e quan një përpjekje modeste, do të jetë i dobishëm për të gjithë nxënësit që dëshirojnë përgatitje të plotë dhe përmbajtësore në lëndën e kimisë, sidomos për maturantët që përgatiten për testin e Maturës Shtetërore.
Libri “Kimia – Matura Shtetërore”, i autorit Mitat Kadri Maliqi, është ribotuar në mars 2014, nga shtëpia botuese “Beqir Musliu” në Gjilan. Recensentë të librit janë: Rexhep Kastrati, profesor i kimisë, zyrtar për planprograme në MASHT, Mr.sc. Islam Zuzaku, profesor i kimisë në Gjilan, Zija Sahiti, profesor i kimisë në Gjilan dhe Islam Morina, profesor i kimisë në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë, redaktore gjuhësore: Makfire Kurteshi, realizimi kompjuterik: Lulzim Latifi e nën përkujdesje teknike të Adhurim Maliqit.
Libri ka 264 faqe, është i përgatitur mirë edhe në aspektin teknik.
(Nexhat Buzuku)