Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Gjilan ka thënë se është skandaloze, alarmuese dhe e pafalshme se si Komunës tonë i kanë humbur 28 milionë euro nga buxheti i vitit 2023.
“Ashtu siç kam paralajmëruar ditë më parë, sot janë të konfirmuara edhe përmes raporteve zyrtare nga komuna e Gjilanit, se ka një mega dështim dhe falimentim në qeverisjen komunale të udhëhequr nga VV, dhe nga një kryetar komune i cili ka humbur busullën e tij”, thotë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, hiç më pak se 28 milionë euro që ishin të planifikuara në buxhetin e viti 2023 nuk janë shpenzuar në projektet kapitale, pra janë në suficit dhe janë kthyer në buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Çfarë fatkeqësie për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë ai për të numëruar:
– 14 milionë euro të pa shpenzuara për autostradën e Gjilanit, prej 27 milionë që ishin të planifikuara në buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
– 6 milionë euro të buxhetuara, ndërsa zero të shpenzuara për projektin e ndërtimit të impiantit të ujrave të zeza.
– 1 milion euro të buxhetuara, ndërsa zero euro të shpenzuara për ndërtimin e rrugës Hamdi Kurteshi.
– 1 milion euro të buxhetuara, ndërsa zero euro të shpenzuara për stadiumin e qytetit.
– 2.3 milionë euro projekte tjera të buxhetuara nga ministritë e qeverisë, si; arkivi ndërkomunal, kampusi universitar, palestra sportive Zhegër dhe disa projekte tjera.
– 3.4 milionë euro projekte tjera të planifikuara me buxhetin komunal, të cilat nuk kanë nisur fare ose janë realizuar pjesërisht.
Kreu i PDK-së së Gjilanit ka thënë tutje se Gjilani kurrë nuk ka përjetuar një humbje të tillë të jashtëzakonshme, sepse asnjëhere nuk ka pasur një kryetar komune i cili nuk ka “haber” në menaxhim, nuk ka dije elementare për të udhëhequr me institucionet komunale dhe me planet zhvillimore, i mungon plotësisht energjia e vullneti për punë, asnjë ekspert profesional nuk e ka ofruar në ekipën e tij qeverisëse.
“Ky kryetar është i lindur vetëm për fjalë koti, dhe e ka një përkushtim të hatashëm për vizatime e video-projekte. Nesër e tutje, do të paraqes skandalet tjera për shkeljet ligjore në ndryshimet e destinimit të buxhetit për projektet e caktuara, duke i shpenzuar për qëllime tjera. Do ta kuptoni se si komuna e Gjilanit, me dije dhe leje të kryetarit të saj, ku i ka shpenzuar 155 mijë euro të destinuara nga qeveria e Kosovës, për investime kapitale në projektin për fëmijët e Gjilanit. Shkelje e rëndë e ligjit për menaxhimin e financave publike. Skandal pas skandali, Gjilani në kaos”, ka thënë Riad Rashiti i PDK-së. /2LONLINE/