Nuhi Nuhiu, politikan gjilanas dhe njohës i çështjeve ekonomike ka komentuar deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa për rritje pagash, duke thënë se me premtimin për rritjen e pagave nga ky kryeministër, partitë e opozitës duhet t’i përvjelin mangët sepse zgjedhjet i kanë në derë, e siç shprehet Nuhiu, besa edhe thasët për miell, vaj, krip,sheqer, duhet bërë gati.
“Çdo rritje të pagave në Kosovën e paslufte ka treguar se zgjedhjet i kemi afër. Kësaj radhe LDK-ja e ka më lehtë të sigurojë vota, se i ka klientët e rregullt e këta janë shërbyesit civil diku 75 mijë. Por, këtu hyjnë edhe anëtarët e familjeve mbi 300 mijë vota të garantuara. Kuptohet se këto dy parti (LDK e PDK), i ndajnë në mes veti”, thotë Nuhiu, shkruan 2LONLINE.
Sipas tij, pasi premtimet e fushatës për 220 mijë dhe 120 mijë nuk u realizuan për punësim, së paku të iu bëhet ngritja e pagave. Kurse për ata të cilët janë mbetur të papunë, tani më janë mësuar që katër vite dhe le të vazhdojnë edhe më tej, thotë Nuhiu me ironi.
“Por, besojë se llogaria kësaj radhe do të ju dështojë, më nuk do të ketë votues që baba e nëna iu ka lënë amanet me votue të njëjtën parti me vite. Në votime kësaj radhe do të dalin edhe ata votues që herëve tjera kanë hezituar. Ky kontingjent i votuesve do të jetë mbi 1 milion dhe është kohë e fundit që këto dy parti (LDK e PDK), të kalojnë në opozitë, s’kanë më çka të thonë në fushatë, çfarë premtimi do ju japin”, thotë tutje Nuhiu.
Ai vlerëson se tani Qeveria përsëri me idenë për rritjen e pagave dëshiron të mbajë frymën e sajë të fundit në pushtet.
“Këta rezonojnë me atë proverbin popullor “Më mirë pulën në Gjilan, se sa gjelin në Pozheran”. Nëse edhe kësaj radhe nuk kemi ndryshime në skenën politike, atëherë qytetarë na qoftë përhajr mjerimi”, thotë në fund Nuhi Nuhiu.