Rexhep Kadriu, do të jetë në krye të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Gjilan, edhe për një mandat, pasi ai mori mbështetje unanime nga delegatët e Kuvendit zgjedhor që mbajti sot ky subjekt politik.
“Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan, mbajti kuvendin e VIII-të të rregullt zgjedhor. Afër njëqind e pesëdhjetë delegatë, unanimisht më dhanë besimin që ta udhëheqë AAK-në, edhe për një mandat”, ka bërë të ditur, Rexhep Kadriu.
Po ashtu, kuvendi zgjodhi edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të degës, dhe delegatët që do ta përfaqësojnë Gjilanin në kuvendin zgjedhor të partisë, në nivel nacional.
Kadriu ka thënë se Aleanca në Gjilan po rritet dhe këtë e dëshmoi prania aq e madhe e qytetarëve, figurave të respektuara në Gjilan e më gjerë, dhe gatishmëria e rinisë për të qenë pjesë aktive e AAK-së, dhe për tu përballë me sfida në të ardhmen e përbashkët.
“AAK nga ky kuvend zgjedhor, do të del e përgatitur si kurrë më parë për të marrë përgjegjësi të reja si në organizimin e degës, ashtu edhe në qeverisje në nivel lokal, si dhe figura të respektuara dhe me vlera edhe për nivelin nacional. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj delegatët për besimin e dhënë, dhe ftoj të gjithë të udhëtojmë bashkë, në mënyrë që rruga jonë politike të jetë edhe më e lehtë, edhe me suksese. Do të jemi përkrah qytetarëve dhe Gjilanit në vazhdimësi”, ka thënë Rexhep Kadriu, kryetar edhe për një mandat i AAK-së së Gjilanit.
Përndryshe, Kadriu ka qenë edhe nënkryetar komune dhe aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës.