Tani më dihet edhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për garën për kryetar të Komunës së Gjilanit, pasi Rexhep Kadriu është nominuar nga kreu i këtij subjekti, Ramush Haradinaj.
Kadriu, që drejton degën e AAK-së në Gjilani dhe që njëherësh është edhe nënkryetar komune, tani do të ketë synim, pozitën e të parit të komunës në garën e 22 tetorit, ku do të ballafaqohet me kundërkadidatë tjerë, që tani më disa edhe dihen: si Lutfi Haziri (LDK), Zenun Pajaziti (PDK), Sami Kurteshi (Vetëvendosje) dhe Naser Morina (PD).
Në ndërkohë, pritet mundësia edhe e ndonjë kandidature tjetër nga subjektet tjera politike që do të garojnë në zgjedhjet lokale të tetorit, për të parin e Gjilanit.
Përndryshe, i nominuari i AAK-së, Rexhep Kadriu, ka deklaruar se shpreson në fitore në zgjedhjet e 22 tetorit dhe se në arritjen e këtij synimi do të ketë edhe përkrahjen e Ramush Haradinajt, si kryeministër i vendit.
“Me bashkëpunetorë të shkelqyer, sot morëm besimin e AAK-së dhe të Kryetarit Haradinaj, për zgjedhjet lokale në Gjilan. Së bashku për fitore!”, ka thënë Kadriu.