Përmes një ndeshje sportive, në shtatë vjetorin e vdekjes së veprimtarit dhe futbollistit, trajnerit të KF Tërnocit, Rexhep Adilit, është përkujtuar vepra dhe kontributi i tij në këtë klub, fshat dhe më gjerë.
Klubi futbollistik Tërnoci, të martën mbajti manifestim përkujtimor, ku veç familjarëve, veprën e Rexhës e përkujtuan bashkëlojtarët e tij, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, përfaqësues të Bashkësisë Lokale, si dhe bashkëqytetarët e shumtë.
Drejtori i klubit tërnocas, Enis Salihu, me këtë rast potencoi kontributin e Rexhës në zbulimin e talenteve të rinj dhe themelimin e shkollës së futbollit.
“Kulmi i përkushtimit të Rexhës rezulton me themelimin e shkollës së futbollit në vitin 2002. Kjo është njëra prej shkollave më funksionale dhe më e suksesshme në rajon”, u shpreh drejtori i KF Tërnocit, Enis Salihu, duke nënvizuar se lojtarët e dalë nga kjo shkollë, përveç në rajon, ata sot gjenden edhe në ekipet elitare rajonale e Evropiane, raporton Titulli.com.
“Vepra e Adilit është shumë dimenzionale e njohur në rajon dhe më gjerë, prandaj e përkujtojmë me krenari çdo vit”, ka thënë në këtë manifestim përkujtimor kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit, Agim Haliti.
Përfaqësuesi nga klubi mysafirë “Shkupi”, Meriton Berisha, tha se ndjehen të nderuar me pjesëmarrjen në këtë manifestim kushtuar verimtarit Rexhep Adili.
“Në emër të klubit futbollistik ‘Shkupi’ do të kisha dashtë së pari të përshëndes familjen e të ndjerit, të pranishmit që kanë ardh, që kanë zbukuru këtë event, posaçërisht një përshëndetje edhe për lojtarët me lojën që do bëjnë”, u shpreh mysafiri, Berisha.
Manifestimi përkujtimor vazhdoi me vendosjen e kurorave në varrin e Rexhep Adilit nga KF Tërnoci, KF Shkupi, BL Tërnoci, si dhe familjarët.
Muhamed Adili, në emër të familjes, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje.
Manifestimi përkujtimor u përmbyll me zhvillimin e ndeshjes miqësore mes pionierëve të KF Tërnocit dhe KF Shkupit e cila filloi me një minutë heshtje në nderim të veprës së Rexhës.
Lojtari, trajneri, dhe veprimtari Rexhep Adili ndërroi jetë në vitin 2008, në moshën 46 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe dy vajza