(2LONLINE) – Republikanët gjilanas, partnerë të LDK-së, partisë fituese në Gjilan, kanë shprehur gatishmëri për të dhënë kontributin e tyre direkt në qeverisjen e Gjilanit. Drejtues të kësaj Lëvizje janë shprehur të gatshëm për të marrë përgjegjësi që sipas tyre do ta arsyetojnë atë me ndërgjegje më të madhe duke qenë pjesë e një pune të mirë të një qeverisje që si tërësi do të jetë në shërbim të qytetarëve të komunës.
Selver Xhelili, kryetar i Lëvizjes Republikane, njëherësh këshilltar komunal i Kuvendit të ri të Gjilanit ka thënë për 2LONLINE, se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi që ju takojnë në ato sektorë ku mendohet se kuadrot e republikanëve mund të japim kontribut e tyre.
Xhelili tha se çdo përgjegjësi që marrin republikanë do ta bëjnë atë përmes kuadrove të tilla të dëshmuara duke qenë profesionale, figura të pastra në raport me ligjin dhe që respektojnë hierarkinë.
Ai tha se republikanët atë që e kanë fituar me votë do ta respektojnë dhe do ta arsyetojnë atë besim me punë. Por, sipas tij, është çështje e subjektit fitues, partnerit të tyre të koalicionit që të vendos për formulën e formimit të qeverisjes së re komunale. Xhelili tha se republikanë e kanë thënë fjalën e tyre para zgjedhjeve duke krijuar partneritet me LDK, qysh herët me besimin e sigurt në fitore të përbashkët.
Xhelili ka thënë se republikanët kanë dëshmuar se pushteti fitohet e nuk pritet të dhurohet, kanë dëshmuar se respektojnë partneritetin të cilin e lidhin me besim, ndërsa e ka vlerësuar të pakuptimtë interesimin e dikujt-dikujt, që tani mundohet përkulshëm të ofrohet me pushtetin duke kërkuar hise edhe pse përgjatë zgjedhjeve, jo që nuk kanë besuar në ata që fituan, por edhe janë përpjekur t’i diskreditojnë në çdo aspekt, e sidomos tani kryetarin aktual të Gjilanit.
Xhelili ka thënë se kryetarit aktual i nevojiten partnerë serioz e jo “lavire të politikës“ që ndryshojnë bindjet politike për interesa ditore. Ai tha se republikanët do të jenë mbështetës të devotshëm të një qeverisje të mirë që do të ndodh me Gjilanin, presin që përgjegjësia e tyre në qeverisje të konfirmohet shumë shpejtë edhe konkretisht dhe në këtë mënyrë hedhen edhe poshtë spekulimet për poste gjoja veq të ndara. Xhelili thotë se ka rend dhe nuk duhet ngutur por çdo gjë që ka të bëjë me republikanët do të bëhet publike kur ajo të jetë zyrtare.
Ai tha se ajo çfarë dihet tani m ëse republikanët me partnerë do të jenë për një kohë të gjatë në pushtet, që ua mundëson vota e lirë e qytetarëve, dhe për faktin që do të dinë t’i respektojnë përgjegjësitë e marra duke i shërbyer qytetarit denjësisht. /2lonline/