Femi HALIMI
(2L ONLINE) – Përmbytja e opinionit me fjalë të rënda ka sjellë gjendjen më të rëndën të mundshmën për shëndetin. Është e frikshme kjo puna e zhburrërimit të plotë të “burrave”! Lakmia po len pasoja mëshumë se lufta e sëmundjet dhe arsyeja tanimë u hoq nga bijtë e kombit. Ani kanë nisë ta pijnë edhe rakinë!
Fjalët e rënda të përkujtojmë se nuk janë lejuar kurrsesi në Odë. Fjalët e rënda nuk kanë pasë leje askund, as në ngatërresa e gjaqe, po dhe as me armiqt, që ishin shumë përreth gjithnjë, dhe siç janë të njëjtët edhe tani, -të njëjtët armiq. Fjalët e rënda nuk lejoheshin në asnjë rast rregullimi, miratimi a gjykimi, pa marrë parasysh të drejtat dhe pasojat e atyre që donin ti thonin, me fjalët e urta të pleqve të Kuvendit.
Fjalët e rënda kanë qenë të hequra nga gjuha shqipe në vend publik. Të huajtë kanë mësuar nga të folurit e shqiptarëve në Odë, -sepse në Odë ka pasur vetëm një mënyrë të të folurit: “Burrërisht”! Më kujtohet nga shkrimet, një lord anglez që u tërheq vërejtjen përfaqësuesve në Parlament për fjalët e liga dhe u jep këshillë që të shkonin në Malësinë e shqiptarëve dhe në Odën e tyre të mësonin të folurit njerëzisht.
Më kujtohet kur isha i vogël, -por që mbaj mend;…një dajë shumë i dashur erdhi tek ne dhe ne u gëzuam shumë; ai nënës –motrës së vet i tregoi diçka dikur pas dite,…për rrezikun e luftës së mundshme; vëllau i madh ishte në shërbim ushtarak atëkohë, në kufirin lindor; daja tha se ushtria ruse kishte sulmuar kufirin;…për këtë nëna u zbeh dhe u ligështua e ra në shtrat; dikur vonë erdhi baba nga puna, -që ishte nëpunës i lartë shteti atë kohë; kur muar vesh baba përse nëna ishte ligështuar, i tha dajës:
“Mik! Të nderoj shumë, por ju nuk kini rend burrash dhe nuk kini Odë!…-
Miko, mbaje mend: për ngatërresa të rënda dhe për luftëra nuk flitet para grave e fëmijëve! Këto llafe burrat as grave të veta nuk ua kallëzojnë!…Këto llafe bëhen veçse mes burrave në Odë, o në Shtabe Lufte!…”
Më sillet ndër mendë koha Para Lufte dha pastaj me radhë, Pas Lufte…Masakrat ndaj ushtarëve tanë në kazermat serbe gjatë shërbimit ushtarak; -fotot e tyre ekspozoheshin haptas para grave e fëmijëve dhe mbaheshin ligjërata të gjata; pas kësaj Pas Lufte njësoj para grave e fëmijëve u shtytën individë, grupe e organizata vendore e ndërkombëtare, se kush e kush po jep pamje më të tmerrshme të krimeve të grupeve kriminale serbe ndaj njerëzve tanë; sigurisht se krahas tradicionales njerëzore erdhi edhe pagesa e donatorëve nga jashtë për “lajme të këtilla, të forta”. Kështu këto lajme të forta, -që do të thotë –që sillnin euro shumë, -bënë dikend të fuqishëm dhe të pasur dhe kjo për ta u muar si punë shumë e levërdishme. Ishte njëmend për ta e levërdishme, porse punët e tilla lanë pasoja e vërragë dhe mbollën të keqën në vend të së mirës.
Me kohë, për shkak të parave dhe donatorëve që pas lufte ishin besa shumë, ndërroi ndërgjegjja dhe Kodi i saj për raste emergjente u mbyll. Vërtetë dikush fitoi dhe u bë i pasur përmes tmerreve të tjetërkujtë për fat të keq tonin. Ky “lajm” u bë mall i shitur shumë dhe shitësit e tij tani janë bosët e shumtë nëpër tërë vendin. Në të vërtetë prejardhjen e fuqisë e tregojnë me gojë të vet ndryshe dhe kjo është njerëzore dhe sepse nuk ka një shtet efektiv që do ti thërriste në “biseda informative, e tutje”, siç e pati këtë aifarë “socializmi”! Kjo fundifundit sepse është një nga shumë mënyrat e ardhjes deri tek pasurimi i skamnorit.
Unë vetë kam qenë fotograf dhe kam pasur foto e foto të këtilla; i kam dhënë, -për interesin e përgjithshëm kombëtar; kam rrezikuar dhe i kam ruajtur ato, përderisa i ka marrë dikush “i besueshëm e burrë i mirë”; më vonë kam marrë vesh se dikush ato foto edhe i ka shitë në Perëndim, -secilën për 200 marka atëkohë…
Fatkeqësia e dikujtë prej njerëzve të kombit bëhet mundësi pasurimi për të tjerë dhe kjo është shansë që “nëse di dhe don ta përdorë me kohë e në vend të duhur, e nxjerr skamnorin përgjithmonë nga skamja”.
“ Këqyr punën”!…U mbet njerëzve rrem i keq i sjelljes edhe në të folur e të shprehur -kjo mania e milionarizimit shpejtë e lehtë –përmes fatkeqësive të të tjerëve të kombit.
Ka por edhe mënyra tjera kësisoji që u përdorën për përfitime personale e gjithmonë nën vellon e interesit kombëtar. Sigurisht se këtë e tregon pasurimi i dikujtë përnjëherë ga balta e deri në qiell. -Fli ditën e rri gjithë natën nëpër bastore…
U kanë mbetë njerëzve tanë këto veset nga e kaluara dhe nuk u heqen më. Një ditë thirra një mjeshtër të ma ndreqte termon me tulla shamoti; në vend kur po merresha vesh me mjeshtrin, qëlloi edhe një burrë “shumë i mirë” që i tha mjeshtrit:
“ -Mjeshtër! Mos i merr pare, se shumë keq i ka punët! Bukë nuk ka me hangër!…Viran krejtë!…”
Mjeshtri u ngushtua dhe nuk fliste fare!…Mandej, kyfarë burri, si u nda pak nga mjeshtri, më thirri pak anash dhe më tha:
-Ta godita mjeshtrin falë, -ti mu mi ke borgj 15 euro, si ngadalë!…
Unë thirra mjeshtrin e i thashë:
-Mjeshtër! Ndreqe termon, e sa të bëhet ta paguaj. –Për start po ti jap 20 euro!…Kurse kyfarë burri që ndërhyri kështu, -ky këtë e ka zanat, -se nuk punon gjë, po gjithë ditën sillet rrugëve e shfrytëzon mirësinë e njerëzve dhe lypë e merr euro pa nderë…
Kur i ndjeu kyfarë burri i keq fjalët që ia thashë mjeshtrit dhe kur pa se ia dashë 20 euro në start, iku!…Pastaj mjeshtri erdhi e ma ndreqi termon dhe ajo tani punon sikur ka dalë atëkohë e re nga fabrika!…
Desha me këtë të them se e keqja është nëmes nesh, nëpër njerëzit tanë dhe dikush është në shërbim të saj; e ka bërë zanat të keqën dhe fiton prej saj; po droj se kjo kështu na mbet dymijë vjet nga pasoja e nëpërkëmbjes nga të huajtë dhe nga gjykimi se më mirë është ti lëshohet rruga armikut se sa të luftohet kundër tij; një mendësi me shumicë e robit dhe shërbëtorit, -që në vend të përgjegjësisë për jetën e vet e të atdheut me një heqje dore kërkon punë shërbyesi me pagesë në vend të vet e në shtëpi të vet; sepse është bindur se më mirë është të jesh shërbëtor e kur nuk të ndjek kush, -se të pretendosh atdheun e lirinë, -e ti nxjerrësh vetes njiqind telashe, -siç po na dalin kështu tani qëprej pas lufte këto telashet me të huajtë dhe me tanët.
Po, fjala ishte për Fjalët e Rënda që kanë përmbytë atdheun. Duhet të formohet një Shtab Emergjent për Përmbytjen që ndodhi e që po vazhdon. Dikush këtu tek ne me gjasë është kah përzinë fjalë dhe me to po bën eksplozive kuptimesh e armësh tjera zjarri. Fjala është në gjuhën që është nëmes nofullave, mish pa asht nëmes eshtrave, së cilës po nuk i vëhet fre, i vë zjarrin gjithë dheut. Gjuha që shqipton fjalët, që vijnë nga synimet e mendjes së zemrës së ligë, -kjo gjuha duhet të frenohet.
Ka një fre që frenon gjuhën. Nuk duhet të lirohet gjuha, e të nxjerr jashtë gjithë çka ka mbrenda në njeriun. Burrëri është kur mbrojmë të tjerët nga e keqja jonë, që e kemë ose që mund të na lirohet nga gjuha pa fre. Ky ishte ligji i Odave gjithmonë, kurse tani shumë më lehtë mund të bëhet kjo punë, kur kemi gjithë këtë arsimim e kontakt me gjithë botën.
Nuk është në rregull që gjithë opinioni të jetë në grindje të pa kufi, pa cak dhe pandërprerë. Gjithë vendi tani ngjan në një kaos të krijuar artificialisht, vetëm e vetëm pse nuk ka ligj që ndalon këtë dhe nuk ka organ që del e arreston bërësit e kaosit. Në të vërtetë shumica jetojnë mirë, shumë mirë dhe shkëlqyeshëm; në emër të një tridhjetë përqindshi që hyn në kategorinë sociale të rëndë, këta që janë lart a në mes manipulojnë me ta. Kategoria sociale e rëndë e kombit ishte edhe kështu gjithmonë shembull për sulm dhe mbrojtje tek partitë, por megjithkëtë njerëzit me gjendje sociale kurrë nuk u liruan nga kjo gjendje. Ishin veçse shembull, -siç janë edhe tani, -për të sulmuar ata që janë në vendet e larta dhe me synim për të ua zënë ato vende.
Kjo garë për të mirat pa kufi, nuk ka kufi. Mirë do të ishte sikur të garonin për të mirat. Në të vërtetë këta kanë një mënyrë të mjerë të garimit: prishjen e pamjes së kombit e atdheut para botës, krijimin e monstrumit politik të kundërshtarit në garë, për t’ia zënë vendin dhe për t’ia grabitë të mirat, -të mira që janë të kombit, -të taksapagueseve e votuesve!…Kështu bën edhe armiku. Mirëpo duhet ditur se po të ishte -me forcë të bëhej Kosova rrotull, -këtë do ta bënte armiku, sepse armiku është shumë më i fuqishëm se ne!…
Me këtë mënyrë nuk mund të shkohet edhe larg dhe të përfitohet më për pushtet. Duhet vetë këta që bëjnë kaosin të ndalen dhe të lirojnë rrugët e zëna, për hire e qëllime dëshirash pakufi, që nuk mund ti plotësojnë as superfuqitë ekonomike, e le më Kosova. Fundifundit edhe këta që po bëjnë zhurmë pakënaqësie, nuk e kanë për popull por për vete, thjeshtë duke synuar zbritjen e kundërshtarëve dhe hipjen në vendet e larta të tyre… Këtë e kanë thënë shumëherë edhe me gojë të vet dhe shënimet janë.
Pleqt kanë thënë se “ …gjithçka vdes dhe ka varrin e vet, veçse shtetit.” Njëditë, pas kushdi sa e sa vjetësh, “shteti” përnjëherë ngjallet! E kur të ngjallet “shteti”, ai a ky, do të kërkon drejtësinë; e drejtësia nëse nuk ka ndodhur, ajo dë të kthehet, por me forcë e vuajtje të shumëkujtë, që ka lënë duartë e veta pa kujdes ku nuk duhet…
Kjo sigurisht se do të vijë dhe do të ndodhë dhe për këtë lum kush ka kujdes dhe rrin në hall të vet! /2L ONLINE/